Kryetarja e Komisionit Hetimor për Koncesionet në Shëndetësi, Albana Vokshi, i ka kërkuar Kryetares së Kuvendit, Elisa Spiropali, që të zëvnedësojë nënkryetarin e komisionit, Plarent Ndreca, dhe sekretarin, raporton A2 CNN.
Në kërkesë Vokshi thotë se “në mënyrë të përsëritur ata kanë shkelur rregulloren e Kuvendit dhe Ligjin për Komisionet hetimore duke penguar hetimin parlamentar”.
Gjithashtu Vokshi kërkon që Kuvendi të paralajmërojë 6 deputetët e tjerë të maxhorancës për detyrimet e tyre ligjore në lidhje me komisionin hetimor, shkruan A2 CNN. Në seancën e fundit të komisionit pati përplasje të shumta mes Vokshit e Ndrecës, pasi ky i fundit nisi mbledhjen pa praninë e saj, me pretendimin se nuk ishte paraqitur në orar. Vokshi deklaroi se ishte pas dere dhe se nuk ishte lejuar të futej nga Garda.
Në kërkesën paraqitur Kuvendit, deputetja demokrate kërkon edhe lejimin e pjesëmarrjes në komision edhe të deputetëve të përjashtuar, sipas PD në mënyrë antikushtetuese.
Në mbledhjen e kaluar të komisionit Vokshi pati edhe një debat me deputetin socialist Erion Braçe, i cili u fut në sallë edhe pse nuk ishte pjesë e komisionit. Për këtë, Vokshi ka kërkuar marrjen e masave disiplinore për Braçen, por edhe për Ndrecën dhe deputetin tjetër të PS, Ilir Metaj, të cilët i akuzon si “dhunues verbal”. (A2 Televizion)