Një parlament të inkriminuar dhe pa dinjitet, e ka cilësuar gazetari Poli Hoxha, Kuvendin e dalë nga zgjedhjet e 11 majit. Në “Off the Record” me Andrea Dangllin në A2 CNN, duke komentuar raportin e kreut të SPAK, Altin Dumani në Kuvend, gazetari theksoi se ky i fundit ka informacione e dosje për ta.
“Dumani tregoi atë ftohtësinë e vet duke e ditur me kë ka të bëjë informacionin e dosjet që ka. Kemi të bëjmë me një parlament që nuk është çarë dot. Për mua është më i krimbur, më i inkriminuar dhe më pa dinjitet nga të dyja anët”, tha Hoxha në A2 CNN.
Sipas tij Dumani tregoi staturën e tij në Kuvend dhe nuk ra pre e asnjë provokimi, ndërkohë që përsëriti presionet nga politika, media dhe krimi i organizuar.
“Nuk kisha ndonjë pritshmëri surprizë nga Dumani se ka treguar edhe vitin e kaluar edhe në komision. Mbajti staturën e tij, një shtetar tipik, nuk ra pre e asnjë provokimi në kuptimin e pyetjeve retorike. Iu përgjigj të gjitha pyetjeve. E theksoi disa herë që askush nuk është i paprekshëm edhe kur zihej në gojë kryeministri Rama si çështja Mcgonigal apo inceneratorët. Përsëriti atë që unë quaj front antiSPAK. Front politiko-mediatik edhe i krimit të organizuar. Gjithë kjo betejë sidomos me krimin e organizuar patjetër që do ketë kundërveprim, nuk del në studio apo parlament, por ka mënyrat e veta për të infiltruar në media e parlament”.
Gazetari nënvizoi se më i egër ndaj kreut të SPAK, u tregua kreu demokrat ndërsa mazhoranca nuk iu kundërpërgjigj me asnjë pyetje për 21 janarin apo Gërdecin.
“E vetmja çështje ku bashkojnë duart është kodi zgjedhor as u mor vesh fare nuk pyetën për partitë e vogla, kur vinte puna te krimet zgjedhore. Më i egër u tregua Berisha, por munguan pyetjet e këtyre p.sh. për Gërdecin apo 21 janarin”. (A2 Televizion)
