Të premten amendament për listën e hapur, Gjiknuri: 1 në 3 nga kandidatët fitues do të jetë grua

Nga A2 CNN
25 Korrik 2024, 21:01 | Politikë

Në emisionin “Debat” në A2 CNN, negociatori socialist për kodin e ri zgjedhor, Damian Gjiknuri ka zbuluar se PS dhe PD kanë rënë dakord për të amenduar listën e hapur me 2/3, në mënyrë që të ruhet kuota gjinore në lista dhe Parlament.

Sipas shpjegimit të Gjiknurit, me amendamentin që pritet të dorëzohet nesër në Kuvend, 1 në 3 nga kandidatët fitues nga lista e hapur duhet të jetë grua. Ai sqaroi se lista e dytë e hapur do të përbëhet nga dy nënlista, një listë grash që garojnë mes tyre dhe një listë burrash që garojnë ndër vete.

“Do bëjmë një korrigjim edhe me lëvizjen e zonjave deputete. Do ta bëjmë një korrigjim ku 1 në 3 emrat e listës që do dalë fituese nga gara e hapur duhet patjetër të garantohet nga kandidatet femra. Nëse do të ketë tre vende fitues dhe asnjë nga ato nuk është grua, do të merret e para e listës. Do të ketë një amendament që është formuluar dhe do të jetë nesër gati”, zbuloi Gjiknuri.

Po ashtu burime për A2 CNN bëjnë me dije se më shumë se 20 deputete nga e majta dhe e djathta kanë firmosur një amendament për mbrojtjen e kuotës gjinore në listat e hapura.

Mes këtyre firmave gjenden emrat e vetëm dy deputetëve meshkuj, kryetarët respektivë të grupeve parlamentare, Bled Çuçi dhe Gazment Bardhi. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos