“Është tipik ligji i shpellës. I shpellës. Kaloi te shpella. Po fole, prapa koke”.
Ndryshimet në ligjin për komisionet hetimore të propozuara nga Partia Socialiste, Sali Berisha i quan përpjekje të Edi Ramës për t’i hequr të drejtën që Kushtetuta i garanton opozitës, hetimin e maxhorancës. Në një konferencë për mediat, kreu i Rithemelimit pohoi se drafti i propozuar nga Partia Socialiste është në shkelje të Kushtetutës dhe shtoi se opozita do të bëjë betejë për të ndaluar miratimin e tij.
“Kryetemë e ditës është përpjekja e tij, i tmerruar gjer në palcë, që të ndalojë me ligj hetimin e vërtetë parlamentar, si mjetin e vetëm sot në Shqipëri, me të cilin qytetarët shqiptarë ushtrojnë sovranitetin në kuptimin e kontrollit të pushtetit të qeverisë së tyre. Edi Rama dërgon në Parlament ligjin ku “de facto” i përjashton mundësinë opozitës që të hetojë”, tha Berisha.
Aksioni politik në Parlament do të vijojë si më parë, konfirmoi Berisha, teksa pranoi që mungesa e deputetëve të grupimit Bardhi në Kuvendin e 2 Dhjetorit, është dëshmi e problemeve që ende nuk kanë gjetur zgjidhje: “Problemet nuk i injoroj, janë në zgjidhje e sipër. Dëshira është që deputetët të jenë në Kuvendin Kombëtar, por bashkëpunimi do të vazhdojë sikur kanë qenë në sallë”.
Për strategjinë afatgjate të Rithemelimit, Berisha edhe njëherë deklaroi se do jetë ai që do udhëheqë betejën zgjedhore të vitit 2025, por u shpreh i hapur kur u pyet nëse është i gatshëm të ndajë postin e kryeministrit nga ai i kryetarit të partisë: "Unë e kam ndarë atë. Do ta bëja sepse unë kam sensin e realizmit".
Ky diskutim, gjithsesi, mund të ndodhë vetëm pas zgjedhjeve, pohoi ai.
(A2 Televizion)