U shkarkua nga Veliaj, reagon Blendi Sulaj: Mirënjohje Ramës, do të mbështes Manastirliun në garën për Tiranën

Nga A2 CNN
2 Shtator 2026, 17:04 | Politikë

U shkarkua nga Veliaj, reagon Blendi Sulaj: Mirënjohje Ramës, do

Blendi Sulaj ka reaguar pas shkarkimit nga posti i nënkryetarit për kontrollin e territorit të Bashkisë së Tiranës. Në një postim në rrjetet sociale ai falënderoi stafin e Bashkisë për bashkëpunimin, teksa vlerësoi punën e nënkryetarëve, drejtorëve dhe punonjësve të administratës.

Ai i shprehu mirënjohjen kryeministrit Edi Rama për besimin dhe mbështetjen gjatë kësaj periudhe, duke veçuar angazhimin në lirimin e hapësirave publike dhe prishjen e ndërtimeve pa leje.

Sulaj bëri të ditur se do të angazhohet në fushatën elektorale në mbështetje të Partisë Socialiste dhe kandidates për Bashkinë e Tiranës, Ogerta Manastirliu.

Postimi i plotë i Sulajt

Të nderuar miq,

Prej një viti kam mbajtur postin e nënkryetarit për kontrollin e territorit në Bashkinë e Tiranës. Dua të ndaj me ju vlerësimin maksimal për nënkryetarët, drejtorët e drejtorive, shefat e sektorëve dhe çdo punonjës të thjeshtë të Bashkisë së Tiranës. Janë njerëz që punojnë me shpirt çdo ditë për t’u shërbyer qytetarëve dhe shpesh jo në kushte normale pune.

Dua të falënderoj Kryeministrin Rama për besimin dhe mbështetjen që më dha gjatë kësaj kohe, ku udhëhoqëm lirimin e hapësirave publike dhe prishjen e ndërtimeve pa leje.

Me padurim dhe plot energji do t’i përkushtohem sfidës elektorale në mbështetje të PS-së dhe kandidates Ogerta Manastirliu.

Tirana e bukur e shqiptarëve, për të cilën do të punojmë të gjithë.

Faleminderit!

Blendi Sulaj

Ish-nënkryetar i Bashkisë

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos