PD akuza qeverisë: I shpalli “luftë” gjyqësorit, u bllokon pagat gjyqtarëve dhe prokurorëve

Nga A2 CNN
2 Shtator 2026, 15:14 | Politikë

PD akuza qeverisë: I shpalli “luftë” gjyqësorit, u

Sekretari për të Drejtat e Njeriut në Partinë Demokratike, Franci Nuri, ka akuzuar qeverinë se po ushtron presion ndaj pushtetit gjyqësor përmes bllokimit të pagave të gjyqtarëve dhe prokurorëve në rang vendi.

Në një postim në rrjetet sociale Nuri shprehet se qeveria nuk e zbatoi detyrimin kushtetues për  pagat e magjistratëve që sipas tij i la afat mazhorancës deri më 31 korrik 2026 për rregullimin ligjor.

Ai pretendon se Ministria e Financave dhe Thesari i Shtetit kanë bllokuar pagesat, duke theksuar se ky është presion financiar dhe ndërhyrje flagrante në pavarësinë e gjyqësorit.

Postimi i plotë i Franc Nurit

Qeveria i shpall “luftë” gjyqësorit, u bllokon pagat gjyqtarëve dhe prokurorëve

Sulmet e Edi Ramës me gjyqtarët dhe prokurorët për çështjen e pagave nuk nisi sot. Ajo nisi kur Kryeministri sulmoi publikisht kërkesat e magjistratëve për pagat dhe ushtroi presion të hapur politik ndaj Gjykatës Kushtetuese, ndërsa kjo kishte në shqyrtim pikërisht këtë çështje.

Gjykata Kushtetuese nuk e pranoi tërësisht kërkesën, por e pranoi pjesërisht, konstatoi problemin kushtetues dhe i la mazhorancës afat deri më 31 korrik 2026 për të bërë rregullimin ligjor të nevojshëm.

Qeveria e Edi Ramës nuk e zbatoi. Afati kaloi.

Dhe sot shkon edhe më tej: përmes Ministrisë së Financave dhe Thesarit, bllokon pagat e gjyqtarëve dhe prokurorëve në rang Republike.

E paprecedentë. E padëgjuar. E patolerueshme.

Ky nuk është më debat për formulën e pagës. Ky është presion i drejtpërdrejtë financiar mbi pushtetin gjyqësor dhe një ndërhyrje flagrante në pavarësinë e tij.

Rama nuk mund ta trajtojë drejtësinë si një drejtori në varësi të Kryeministrisë.

Në një Republikë normale dhe funksionale, Kryeministri si gjithë të tjerët i bindet Kushtetutës dhe vendimeve të gjykatave. Nuk i ndëshkon gjykatat sepse nuk i binden atij.

Franci NURI

Sekretar për të Drejtat e Njeriut

Partia Demokratike

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos