
Ambasadorja Sofia Moreira de Sousa, Shefja e re e Delegacionit të Bashkimit Evropian në Shqipëri, i paraqiti letrat kredenciale Presidentit Bajram Begaj.
Ambasadorja Moreira de Sousa do të përfaqësojë Bashkimin Europian në Shqipëri dhe do të drejtojë Delegacionin e BE-së në Tiranë gjatë katër viteve të ardhshme.
Pas ceremonisë, Ambasadorja Moreira de Sousa deklaroi: “Është nder të jem këtu. Rruga e Shqipërisë drejt BE-së ka arritur në një fazë vendimtare, me të gjitha grup-kapitujt të hapur dhe tre kapitujt e parë tashmë të mbyllur. Por anëtarësimi nuk ka të bëjë vetëm me grup-kapituj dhe kapituj. Ai ka të bëjë me përmirësimin e jetës së qytetarëve.
Së bashku me ekipin tim, pres me padurim të punoj ngushtë me autoritetet shqiptare dhe me të gjithë partnerët, në koordinim me Shtetet Anëtare të BE-së, për çuar Shqipërinë në Bashkimin Evropian dhe për të ndërtuar të ardhmen tonë të përbashkët”.
Ambasadorja Moreira de Sousa është shtetase portugeze, me përvojë të gjerë në politikën e jashtme dhe të sigurisë në nivel evropian dhe ndërkombëtar. (A2 Televizion)