Udhëtimet me charter, Berisha: Me valixhet e Ramës bëhen trafiqe të paligjshme

Nga Anesti Barjamemaj
27 Qershor 2025, 15:32 | Politikë

Udhëtimi i kryeministrit Edi Rama për në Samitin e NATO-s ka rikthyer akuzat e opozitës se lideri i qeverisë fluturon me charter, një shpenzim i tepruar sipas demokratëve. Nga selia blu, kryetari Sali Berisha pohoi se përveç kreut të qeverisë, me këto fluturime charter udhëtojnë dhe persona të rrëzikshëm që janë në kërkim nga autoritetet.

“Sapo jam informuar. Ka burime të cilat thonë se valixhet diplomatiket të Edi Ramës me çarter, janë më voluminoze dhe më numerike të të gjithë qeverive të Europës të marra së bashku. Po. Për të mos thënë pastaj, se ka zëra të tjerë që me çarter kanë udhëtuar persona të rrezikshëm shumë të kërkuar”.

Berisha pohoi se nuk do të ndalojë vetëm me akuza publike, por do të kërkojnë komision hetimor në shtator, ndërsa do të insistojë edhe për një ndërhyrje ndërkombëtare lidhur me këtë çështje.

“Do kërkojmë dhe mbështetje ndërkombëtare, për të hetuar si këto shpenzime ashtu dhe baulet diplomatike. Se kur udhëton kryeministri zakonisht udhëton me valixhen e tij, por në qoftë se ka një seri të pafundme baulesh, aty thuhet se është transportuar, janë trafiqe ilegale, monedhash, droge, apo ku ta di unë, nuk mund të them, sepse duhet hetimi”.

Berisha nënvizon se Kryeministri i vendit ka detyrimin të kursejë taksat e qytetarëve, aq më tepër kur në vend të fluturimeve që kushtojnë disa dhjetëra mijëra euro, ka opsione të tjera më të lira.

“Për mua është abuzim ekstrem me pushtetin. Me Holandën, Belgjikën ka disa linja të lira çdo ditë dhe Ramaduro me zonjën e tij, mund të udhëtonin me 40-50 Euro biletën dhe të paguanin edhe diçka tjetër më shumë si preferencë. Por nuk mundet, u duhet avioni në dispozicion. Por kjo mbrohet nga Altin Troplini se ky është një akt i dënueshëm”.

Gjatë konferencën vijoi sërish me denoncimet për atë që e quan farsë zgjedhore, ku publikoi disa dokumente që sipas tij vërtetojnë se kutitë e votimit u mbushën jashtë dhe u zëvendësuan në qendrat zgjedhore. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos