"Ulja e numrit të deputetëve nuk kursen para"- Lapaj: Parlamentet e vogla janë më të kontrollueshëm

Nga A2 CNN
30 Tetor 2025, 22:46 | Politikë

Kryetari i Lëvizjes ‘Shqipëria Bëhet’, Adriatik Lapaj, është shprehur se parlamentet me numër të vogël deputetësh, janë më të kontrollueshëm dhe manipulueshëm.

Komentet Lapaj i bëri në studion e emisionit ‘Off the Record’ me gazetarin Andrea Danglli në A2 CNN, ku tha se mazhorancat e kanë më të thjeshtë të tërheqin fijet për të marrë vendime të caktuara.

Lapaj tha gjithashtu se ulja e numrit të deputetëve nuk ndikon realisht në kursimin e më shumë parave, siç sipas tij, pretendojnë shumë qytetarë.

“Nëse thuhet se kur ulet numri i deputetëve, njerëzit mendojnë se kursehen para, në fakt nuk është kështu. Domethënë nuk është se nga kjo vijnë kursim real paraje. Nuk ndodh kështu. Le ta themi të vërtetën siç është. Nëse i referohemi numrit të popullsisë, duke u miratuar vota e diasporës, tashmë jemi në kushtet që nuk kemi një ulje të numrit të popullsisë sa i takon përfaqësimit.

Sepse kanë të drejtë të votojnë të gjithë shqiptarët, edhe ata që janë jashtë. Hipotetikisht mund të votojnë 3.7 milionë njerëz. Dhe po të shkojmë me atë logjikë, do të duhet ta ulim numrin e administratës që është rritur shumë në vitet e fundit, edhe pse numri i popullsisë është ulur shumë. Unë nuk jam kundër uljes, s’është problem fare kjo. Por nuk do ndryshonte gjë realisht.

Parlamentet e vogla kanë një problem në vetëvete, sepse janë më të kontrollueshëm, nëse i gjithë enturazhi tenton ta bëjë këtë. Pra sa më pak është numri i atyre që i marrin vendimet, aq më të kollajta mund të jenë fijet për t’i krijuar ato mazhorancat apo numrat e caktuar. Në gjykimin tim, Parlamenti i Shqipërisë nuk ka nevojë për 2 dhoma”, tha mes të tjerash Lapaj. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos