Në protokollin e Bajram Begajt mbërriti shkresa e Edi Ramës që e njoftonte për vakancat e krijuara në drejtimin e 6 bashkive, përfshirë edhe karrigen bosh të Erion Veliajt. Por ky akt që ngjan si një burokraci institucionale ka shkaktuar një efekt domino në nenet e ligjeve që aktivizojnë organizimin e zgjedhjeve të parakohshme.
Ndryshe nga aktet e ndërlikuara juridike, vajtja e shkresës në Presidencë do të thotë se Bajram Begaj ka afat deri në datën 2 tetor për të dekretuar datën e zgjedhjeve të pjesshme. Por dilema më e madhe lidhet me datën se kur do të zhvillohen zgjedhjet në Bashkinë e Tiranës.
Erion Veliaj zyrtarisht ka kundërshtuar vendimin e Edi Ramës në Gjykatën Kushtetuese dhe kjo e fundit e ka regjistruar atë duke njoftuar edhe publikun, përfshirë edhe Presidentin e Republikës. Ankimi në Gjykatë, sipas kushtetutës, do të thotë se efektet që ka sjell akti i shkarkimit pezullohet derisa të shprehet trupa, apo thënë thjeshtë, shkarkimin e Veliajt do ta caktojë zyrtarisht Gjykata Kushtetuese, dhe derisa të shprehet ajo, Bajram Begaj nuk mund të dekretojë një datë për zgjedhje në kryeqytet.
Shpjegimet ligjore për Tiranën nuk afektojnë vakancat në bashkitë e tjera, Vlorën, Beratin, Tepelenën, Cërrikun dhe Matin për të cilat Presidenti duhet të shprehet me dekret dhe datat më të mundshme për organizimin e zgjedhjeve janë 2, 9 ose 16 Nëntor 2025, datë të cilën Presidenti pritet ta dekretojë brenda ditës së enjte. (A2 Televizion)
Zgjedhje të pjesshme në nëntor, Rama i kërkon datën Begajt, Veliaj "i ngrin" Tiranën
