Kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka akuzuar qeverinë se po i ikën debatit në Kuvend, duke e kthyer atë në një institucion “memec” ku kalojnë vetëm votimet, por jo diskutimet.
Në një deklaratë për mediat, Bardhi tha se mazhoranca rrëzoi kërkesën e opozitës për debat mbi programin qeverisës të Partisë Socialiste dhe mbi rezolutën për dënimin e gjenocidit serb në Kosovë.
“Rama kërkon një Kuvend pa gojë e pa mendje. Në seancën e 18 shtatorit, programi i qeverisë kaloi pa asnjë debat. Sot u rrëzua dhe alibia se opozita nuk dëshiron debat. E vërteta është se ata që i ikin debatit janë socialistët,” tha Bardhi, shkruan A2 CNN.
Ai e quajti të paimagjinueshme për një vend demokratik që qeveria të refuzojë debatin mbi prioritetet dhe programin qeverisës. “Mohimi i të drejtës për debat tregon mendësinë e Ramës për ta kthyer Shqipërinë nga Republikë Parlamentare në Republikë Kryeministrore,” shtoi Bardhi.
Për çështjen e rezolutës për gjenocidin serb, ai akuzoi mazhorancën se përdori justifikime absurde, duke thënë se ky akt duhej të ishte ndërmarrë që në vitin 1999. Bardhi kujtoi se Kuvendi i Kosovës miratoi një rezolutë të tillë në vitin 2019 dhe se Shqipëria nuk mund të heshtë përballë këtij krimi. (A2 Televizion)