Kërkesat e Demokratëve për të zhvilluar dy debate parlamentare, ngecën Në Konferencën e Kryetarëve. Socialistët kundërshtuan shkresat e depozituara nga Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike nën argumentin se ato nuk respektonin rregulloren e Kuvendit, duke i vendosur edhe kushte politike.
“Ta sjellin konfom Rregullores dhe e pranojmë”, tha Taulant Balla. “Rama kërkon një Kuvend pa gojë e pa mendje. Në seancën e 18 shtatorit, programi i qeverisë kaloi pa asnjë debat. Sot u rrëzua dhe alibia se opozita nuk dëshiron debat. E vërteta është se ata që i ikin debatit janë socialistët,” tha Bardhi, shkruan A2 CNN.
Për demokratët kërkesat për mocion me debat nuk mund të hidhet poshtë me votë, dhe duhet pranuar. “Mohimi i të drejtës për debat tregon mendësinë e Ramës për ta kthyer Shqipërinë nga Republikë Parlamentare në Republikë Kryeministrore,” shtoi Bardhi.
Ndasitë ndërmjet palëve nuk kishin të bënin vetëm me çështje të politikës së brendshme por edhe me Kosovën ku demokratë kishin materializuar edhe një kërkesë për mocion me debat për dënimin e gjenocidit serb në Kosovë. Pretendimit të Bardhit që këtë e ka kërkuar Presidentja e Kosovws, Vjosa Osmani, Balla iu përgjigj që dënimi është bërë që në vitin 1999.
Socialistët i kanë lënë afat deri në datën 9 tetor për demokratët që të riformulojnë kërkesën dhe më pas do të jetë seanca plenare që do të vendos për zhvillimin e tyre. (A2 Televizion)