
Në një video-mesazh të publikuar në rrjetet sociale, Ali Ahmeti e cilëson vendimin e Gjykatës Speciale si të padrejtë dhe bën thirrje për maturi dhe unitet. Kreu i BDI-së thekson se nuk duhet të biem në grackat që synojnë të krijojnë tensione apo përçarjeve. Ahmeti beson se akuzat për Thaçin, Krasniqin, Veselin dhe Selimin do të rrëzohen në Apel.
“Është një vendim që e konsideroj të padrejtë dhe thellësisht zhgënjyes. Në këto momente të rënda bëj thirrje për maturi dhe unitet! Nuk duhet të biem në asnjë grackë që synon të krijojë tensione, përçarje, apo të njollosë luftën çlirimtare të popullit në Kosovë. UÇK lindi si përgjigje ndaj shtypjes dhe luftoi për lirinë e Kosovës”, thotë kreu i BDI.
“Besoj që këto akuza do të rrëzohen në procesin e mëtejshëm gjyqësor, ashtu siç nuk u materializuan pretendimet e dikurshme për trafik organesh. Procesi nuk përfundon këtu. Besoj që mbrojtja do ta vazhdojë betejën juridike në Gjykatën e Apelit, duke kundërshtuar gjetjet e shkallës së parë dhe duke kërkuar drejtësi deri në fund”, shprehet Ahmeti. (A2 Televizion)