Kryeministri Edi Rama sulmoi partitë e reja që garojnë më 11 maj për zgjedhjet parlamentare, duke i quajtur “version laik i të ndjerës LSI”.
“Po të shikoni që skuadra jonë është shumë më e re se të tjerat, përfshi edhe ata që kanë të re vetëm moshën dhe thonë “Jemi e reja që po vjen” dhe është njëkohësisht skuadra më e vjetër, për shkak se ka ndërhyrje mes energjisë së re dhe eksperiencës. Ata nuk kanë as ide të reja, as programe të ndryshme nga programet e çdo lloj force spekulante që s’ka gjë në dorë që premton gjithçka përveç nënës dhe babës dhe nuk ka, mbi të gjitha, asnjë kapacitet qeverisës”, tha Rama në “Off the Record” me Andrea Dangllin në A2 CNN.
“Kam mundur të shoh disa nga gjërat kryesore dhe kam parë edhe qasjen destruktive, agresive dhe gjuhën skandaloze dhe kam parë se si, për shembull, ndërkohë që Shqipëria duhet të mbyllë negociatat me BE në vitin 2027, ata thonë që po na erdhi ne në dorë kjo punë, do të shkojmë zgjedhje të parakohshme. Domethënë janë thjesht një version laik i të ndjerës LSI”. (A2 Televizion)