Tomor Alizoti, drejtuesi politik i Partisë Demokratike në Qarkun e Elbasanit, ishte i ftuar në emisionin "Off the Record" me Andrea Dangllin në A2 CNN nga ku ngriti akuza të rënda duke thënë se bandat kriminale po ju shkojnë nëpër shtëpi qytetarëve të Elbasanit dhe po i kërcënojnë për votën.
“Bandat kriminale po kërcënojnë njerëzit, i kërcënojnë njerëzit natën dhe iu shkojnë nëpër shtëpi, por demokracia nuk mund të funksionojë dot kur i gjithë shteti është kthyer në narko”.
Më tej, ai tha se raste të ngjashme ka çdo ditë dhe pretendon se i ka të dhëna edhe nga ekspertë policie.
“Ata thonë se e gjithë kupola e policisë është e kontrolluar nga bandat. O çokollatën o dajakun, ky është realiteti në Shqipëri. Kur lëviz gjatë natës nga Elbasani në Tiranë, policët më ndalojnë dhe më takojnë pasi kanë frikë të më takojnë ditën”, u shpreh.
“Ma thanë troç!” Tomor Alizoti zbardh bisedën me përfaqësuesit e OSBE për shit-blerjen e votave
Tomor Alizoti, drejtuesi politik i PD në Qarkun e Elbasanit, deklaroi në emisionin “Off the Record” me Andrea Dangllin në A2 CNN se përfaqësues të OSBE i kanë pranuar privatisht shqetësimet për shit-blerjen e votës në Shqipëri. “Më kanë thënë: Ne të besojmë. E dimë që situata është keq, por në fund bëjmë vetëm një raport. Nuk mund ta ndalojmë procesin”, tha Alizoti.
Ai shtoi se SPAK duhet të veprojë para zgjedhjeve dhe jo pasi "maskarada" ka ndodhur.
“Nuk mund të përfundojmë gjithmonë nga një teatër në një tjetër. Pushteti po kap çdo institucion, ndërsa opozita përballet me një sistem të mbyllur”, tha ai.
Alizoti theksoi se denoncimet për shit-blerje vote nuk mund të mbeten në letra dhe raportime diplomatike, por duhet të shoqërohen me ndërhyrje reale për të mbrojtur demokracinë. (A2 Televizion)