Hapet zyrtarisht Grup-Kapitulli 3 i negociatave, ministri Hasani: Reflektim i progresit të Shqipërisë të bazuar në meritë

Nga A2 CNN
22 Maj 2025, 19:27 | Politikë

Hapet zyrtarisht Grup-Kapitulli 3 i negociatave, ministri Hasani: Reflektim i

Bruksel, 22 Maj 2025 – Pasditen e sotme u zhvillua në Bruksel, Konferenca e 5-të Ndërqeveritare mes Shqipërisë dhe BE-së, e cila miratoi hapjen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë mbi 8 kapituj të përfshirë në Grupimin e 3-të: “Konkurrueshmëria dhe Rritja Gjithëpërfshirëse”, duke shënuar një tjetër hap të rëndësishëm historik përpara në negociatat e vendit tonë për anëtarësim në BE.

I pranishëm në këtë Konferencë, Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, z. Igli Hasani ka reaguar në lidhje me këtë zhvillim të rëndësishëm.

"Një gurthemel i ri i hedhur me hapjen zyrtare të Grup-Kapitullit 3 - Konkurrueshmëria dhe Rritja Gjithëpërfshirëse - gjatë Konferencës së 5-të Ndërqeveritare të mbajtur në Bruksel. Hapja e 8 kapitujve të rinj sot reflekton progresin e bazuar në meritë të Shqipërisë dhe është një tregues i qartë se sa shumë kemi arritur brenda një kohe shumë të shkurtër", shprehet z. Hasani.

Ai nënvizon gjithashtu se rrugëtimi ynë drejt BE-së nuk ka qenë ndonjëherë kaq i qartë apo më i vendosur.

Në grupimin 3 përfshihen tetë fusha ose kapituj: Kapitulli 10 (Transformimi Digjital dhe Media), Kapitulli 16 (Tatimet), Kapitulli 17 (Politika Ekonomike dhe Monetare), Kapitulli 19 (Politika Sociale dhe Punësimi), Kapitulli 20 (Ndërmarrjet dhe Politika Industriale), Kapitulli 25 (Shkenca dhe Kërkimi), Kapitulli 26 (Arsimi dhe Kultura), Kapitulli 29 (Bashkimi Doganor). Përparimi në këto fusha është thelbësor për të garantuar stabilitetin fiskal të Shqipërisë, modernizimin industrial, rritjen e inovacionit, përmirësimin e kushteve të punës dhe pjesëmarrjen në iniciativat evropiane të kërkimit shkencor, arsimit dhe digjitalizimit.

Me hapjen e këtij grup-kapitulli, Shqipëria është më pranë realizimit të vizionit të Shqipërisë 2030, ku përfitimet dhe rezultatet e integrimit në BE mund të aplikohen direkt në jetën e përditshme, me shërbime më të mira, më shumë mirëqënie dhe zhvillim të qëndrueshëm për qytetarët shqiptarë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos