Për deputeten Blerina Gjylameti, PS-ja do të marrë më shumë deputetë se 4 vite më parë. Këtë deklaratë ajo e bëri teksa ishte e ftuar në emisionin “Off the Record” me Andrea Dangllin në A2 CNN.
“Çështja e pensioneve është edhe një ndër prioritetet e mia personale. Unë e them këtë sepse që në krye të herës kur është bërë reforma e parë, unë kam qenë aty. Unë kam qenë e angazhuar në këtë çështje dhe e kuptoj shumë mirë. Çdokush që ka dalë në pension pas vitit 2015, ka në xhepat e tij më tepër sesa do të kishte para 2015”.
Kështu u shpreh e ftuar në emisionin “Off the Record” me Andrea Dangllin në A2 CNN deputetja socialiste Blerina Gjylameti, e cila dha lajmin se është krijuar një fond që do të jetë i vazhdueshëm për pensionistët.
“Për mua kjo është një çështje që duhet diskutuar shumë më gjërë. Kjo është një plagë për shkak të viteve të punës në të zezë. Të gjithë ata që dalin sot në pension e kanë te pensioni i pjesshëm.
Sot kemi një deficit më të ulët dhe kjo do të thotë se kemi më shumë kontribuues për përfitues. Buxheti i shtetit sot ofron më shumë, por si deficit është më pak për shkak të skemës. Situata ekonomike është shumë më e mirë se në vitin 2015.
Gjëja tjetër që kemi parë dhe vendosur është elementi tjetër është lidhja e rritjes ekonomike me përfitimin që duhet të ketë pensionisti. Bonusi i pranverës lidhet pikërisht me këtë, kontributi i rritjes ekonomike. Ky ishte një lajm shumë i mirë sepse krijohet një fond që merret kontributi nga kjo rritje ekonomike. Ky fond do të jetë i vazhdueshëm dhe do të jetë pjesë e skemës së re të pensioneve.
Ka kohë që është ngritur një grup punë dhe po diskuton për reformimin e pensioneve”, u shpreh deputetja socialiste. (A2 Televizion)