Vota e diasporës, shtetet e pazakonta nga do të votojnë shqiptarët

Nga A2 CNN
24 Mars 2025, 13:26 | Politikë

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të dërgojë përmes postës në 85 shtete, 245.808 fletë votimi, për aq emigrantë sa edhe janë regjistruar për të votuar në zgjedhjet e 11 majit.

Numri më i madh i fletëve të votimit do të dërgohet në Itali, plot 91.210 të tilla, ndërsa më pas vijnë Greqia, Gjermania, SHBA dhe Mbretëria e Bashkuar me një numër të konsiderueshëm emigrantësh të regjistruar.

Vota e diasporës, shtetet e pazakonta nga do të votojnë

Shtetet ku KQZ do të dërgojë vetëm një fletë votimi janë Fixhi, Gjeorgjia, Isle of Man, Jordania, Lihtenshteini, Madagaskari, Moldavia, Monako, Filipinet, Koreja e Jugut, Irani, Republika Demokratike e Lao’s dhe Venezuela.

Në listën e gjerë të shteteve të pazakonta, nga ku shqiptarët kanë shfaqur interes për të votuar janë edhe Kazakistani, Liberia, Kili, Ishujt Faroe, India, Brazili, Meksika, Vietnami, Tajlanda, Singapori dhe Malajzia.

Më 5 prill do të nisë procesi për përgatitjen e materialeve zgjedhore dhe më 10 prill pritet që fleta të dërgohet drejt zgjedhësve jashtë vendit.

“Më 5 prill, tek Parku Olimpik nisim përgatitjen e materialeve zgjedhore (mbushjen e zarfeve) që më pas i nisim në diasporë. Ambienti kënaq nevojat e të gjithë palëve”, tha kreu i KQZ, Ilirjan Celibashi.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos