Gjasat janë që në zgjedhjet parlamentare të vitit 2025, votimi elektronik të mos zhvillohet në 5 qarqe siç kanë kërkuar forcat politike, por vetëm në dy.
Këtë ua ka komunikuar përmes një letre, të gjitha partive politike të interesuara pranë KQZ për procesin, kreu i institucionit Ilirjan Celibashi. Në letër ai nënvizon se afatet kohore nuk premtojnë për të përmbushur këtë kërkesë.
“Në vijim të komunikimeve të mëparshme të KQZ me ju mbi mundësinë e zhvillimit të votimin elektronik në 5 qarqe, në zgjedhjet për Kuvendin e Shqipërisë të vitit 2025, më lejoni t’ju sjell në vëmendje se kjo mënyrë votimi në këtë numër qarqesh nuk mund të zhvillohet. Periudha nga sot deri në datën 20 Prill 2024 që është data e parë e mundshme e zhvillimit të zgjedhjeve në fjalë, apo deri në datën 11 Maj 2024 që është data e fundit e mundshme për zhvillimin e zgjedhjeve të vitit 2025, është e pamjaftueshme për përgatitjen e gjithë elementëve teknik dhe njerëzor për zhvillimin e këtij lloj votimi në këtë numër qarqesh”, shkruan Celibashi.
Në vijim kreu i KQZ-së propozon që votimi elektronik të realizohet vetëm në qarqet Durrës dhe Elbasan, raporton A2. Sipas tij, do të jetë më e lehtë që votimi elektronik të bëhet në Elbasan, pasi qytetarët janë të njohur me procesin, duke nisur nga eksperienca në zgjedhjet lokale të 14 Majit.
“Duke vlerësuar interesin dhe dobinë për shtrirjen graduale të votimit elektronik, KQZ për zgjedhjet për Kuvendin e Shqipërisë për vitin 2025, propozon zhvillimin e kësaj mënyre votimi vetëm në qarkun e Elbasanit dhe në atë të Durrësit. Në qarkun e Elbasanit u zhvillua votimi elektronik për zgjedhjet e datës 14 Maj 2023 në shumicën e qendrave të votimit të këtij qarku, të cilat i përkasin bashkisë Elbasan. Ndaj nëse nga ana juaj vlerësohet me dobi dhe interes shtrirja e votimit elektronik, është me kuptim që më së pari ai të shtrihet në ato njësi zgjedhore ku një pjesë e votuesve të kësaj njësie e kanë një eksperiencë të mëparshme me këtë lloj votimi”, theksohet në letër.
Sa i përket Durrësit, Celibashi sqaron se “zhvillimi i votimit elektronik në qarkun e Durrësit rekomandohet për lehtësitë logjistike dhe njerëzore që ofron ky qark krahasuar me qarqe të tjerë të vendit”.
“Durrësi për shkak të terrenit gjeografik, infrastrukturës rrugore dhe asaj tjetër, distancës me Tiranën (KQZ-në), mundëson një përgjigje më të mirë nga ana e këtij institucioni për përgatitjen, zhvillimin dhe administrimin e votimit elektronik. Nga ana tjetër ky lloj votimi kërkon angazhimin e një numri të madh njerëzish në terren. Praktika e identifikimit elektronik ka treguar se për qarkun e Durrësit në përgjithësi rekrutimi i personelit të posaçëm për këto procese administruese zgjedhore është më pak sfidues se në shumë qarqe të tjerë. Numri dhe natyra e punës që kryen personeli që do të angazhohet me votimin elektronik është thuajse e njëjtë me atë të identifikimit elektronik”, shpjegon më tej kreu i KQZ.
Në fund, Celibashi iu lë partive politike si afat datën 19 tetor për të përcjellë në KQZ mendimin e tyre për këtë propozim të tij. (A2 Televizion)