
Pjesëmarrja në zgjedhjet e pjesshme lokale në 5 bashki të vendit ka arritur në 17,99% deri në orën 17:00, sipas të dhënave zyrtare të raportuara nga komisionet e qendrave të votimit. Të dhënat tregojnë ndryshime të ndjeshme mes bashkive, ku disa prej tyre shënojnë pjesëmarrje mjaft të ulët, ndërsa të tjera raportojnë shifra më të larta se mesatarja, shkruan A2 CNN.
Në Vlorë janë raportuar 174 nga 231 qendra votimi, ku kanë votuar 15,712 qytetarë nga gjithsej 130,480 të regjistruar. Pjesëmarrja në këtë bashki është vetëm 12.04%, një nga shifrat më të ulëta në rang kombëtar për këto zgjedhje.
Pjesëmarrja në Bashkinë Berat shkon në 18.94%, duke qëndruar rreth mesatares së përgjithshme. Nga 116 qendra votimi janë raportuar 83. Deri në orën 17:00 kanë votuar 11,571 zgjedhës, nga 61,082 gjithsej.
Në Cërrik janë raportuar 45 nga 57 qendra votimi. Deri tani kanë votuar 7,591 qytetarë nga 30,700 të regjistruar. Pjesëmarrja në këtë bashki arrin në 24.73%, një ndër shifrat më të larta të ditës.
Mati shënon pjesëmarrjen më të lartë ndër të gjitha bashkitë e përfshira në zgjedhje. Nga 47 qendra, janë raportuar 29, ndërsa kanë votuar 7,379 zgjedhës nga 18,903 total. Pjesëmarrja këtu arrin në 39.04%, duke e vendosur Matin në krye të listës për pjesëmarrje.
Në Tepelenë janë raportuar 13 nga 21 qendra votimi. Deri tani kanë votuar 2,420 qytetarë nga 7,184 të regjistruar. Pjesëmarrja në këtë bashki është 33.69%, duke u renditur ndër më të lartat në këtë proces zgjedhor. (A2 Televizion)
