Shifrat e divorceve në Shqipëri mbeten të larta. Në mbi 16 mijë martesa në një vit, mbi 4 mijë janë vetëm divorce.
Velloja e bardhë e nuses, kostumi i dhëndrit, dasmat tradicionale në Shqipëri dhe premtimi derisa vdekja të na ndajë po zbehen vit pas viti në Shqipëri, pasi divorcet mbeten gjithnjë e në shifra të larta.
Por cilët janë faktorët që i çojnë shqiptarët drejt ndarjes? Çfarë po ndodh me familjen në bërthamën e saj dhe cilat janë arsyet që i çojnë çiftet drejt një divorci të mundshëm?
“Është shkatërrim ndarja, po ka ardhur aty ku nuk mban më. E para është ekonomia pastaj këto të tjerat vijnë të dytat. Janë modernizuar familjet shqiptare nuk janë më ato familjet tradicionale siç kanë qenë. Është brezi i ri, është brezi i teknologjisë”, shprehet një qytetar për A2 CNN.
“Po nuk durojnë as meshkujt as femrat sot, nuk durojnë. Nuk e ulin kokën as njëri as tjetri”, shprehet një tjetër qytetare.
Në dyert e gjykatës avokatët dhe ndërmjetësuesit gjithmonë luftojnë për pajtim mes çifteve për t’i dhënë fund zënkave apo problemeve të cilat janë sipërfaqësore. Por çfarë thonë avokatët lidhur sa i përket shifrave shqetësuese të divorceve në Shqipëri?
“Kjo është një shifër shumë e lartë, sepse për shkak edhe të vetë traditës dhe historikut të familjeve shqiptare ku divorci ishte tabu dhe ndodhte vetëm në ato raste kur bëhej vërtetë e padurueshme jetesa mes dy bashkëshortëve. Shkaqet janë të ndryshme, siç është mosjetesa e përbashkët, grindjet dhe mosmarrëveshjet, tradhtitë bashkëshortore, kemi të bëjmë dhe me situata të tjera me mos afektimin e marrëdhënieve seksuale mes çiftit, pra kemi bashkëshortë të cilët e ka humbur martesa qëllimin e vetë. Kjo edhe për shkak të teknologjisë dhe të një lloj propaganda që bëhet edhe nga shoqatat për mbrojtjen e të drejtave të grave ku simulojnë divorcet. Kjo ndodh sepse shoqatat këtu marrin financim për projekte për gjoja barazinë e grave në raport me meshkujt dhe të drejtat e tyre të drejta të cilat i garantohen por përveçse i garantohen ato simulojnë konflikte të paqena”, thotë për A2 CNN, avokati Alban Dudaj.
Familja është bërthama e shoqërisë, dhe në Shqipëri gjithmonë ka funksionuar tradicionalja, padyshim dhe modernia është pjesë e çdo kulture shoqërore. E megjithatë çdo zënkë, çdo keqkuptim, çdo mosmarrëveshje në çift më parë duhet të kalojë nëpërmjet ndërmjetësimit dhe jo divorcit, i cili është i pakthyeshëm. (A2 Televizion)
