Dr. Vera Ora, psikiatre, në emisionin “Diagnozë”. Nëna e Rita Orës rrefen…

Nga A2 CNN
24 Nëntor 2025, 13:11 | Sociale

Një rrëfim ekskluziv në emisionin “Diagnozë”, nga autorja dhe moderatorja Freskida Miloti, në rubrikën “Impakt shëndet” ishte e ftuar Dr. Vera Ora, mjeke psikiatre, nëna e këngëtares së famshme Rita Ora.

Dr. Vera me një karrierë të gjatë dhe të konsoliduar në Mbretërinë e Bashkuar, ka kontribuar për shumë vite në sistemin shëndetësor publik NHS.

Dr. Ora është një profesioniste e vlerësuar në fushën e shëndetit mendor dhe një zë i rëndësishëm në promovimin e mirëqenies emocionale dhe psikologjike. Përveç dimensionit të saj profesional, Dr. Ora na tregon edhe si është të jesh nëna e artistes ndërkombëtare Rita Ora, një përvojë që i ka dhënë një perspektivë të veçantë mbi menaxhimin e presionit, ekspozimit publik dhe sfidave emocionale që shoqërojnë suksesin artistik.

Si nënë, profesioniste dhe grua që ka ndërtuar karrierë solide në fushën e psikiatrisë në Angli, Dr. Vera ndau me publikun historinë e saj një udhëtim të mbushur me sfida dhe vlera familjare.

Në këtë intervistë të veçantë, ajo tregon se si ka arritur të balancojë rrugëtimin e saj profesional me suksesin global të vajzës, ndërsa përballej me presionin publik dhe përgjegjësitë që vijnë me të.

Në një familje ku talenti dhe dashuria janë themele, Dr. Vera shprehet se krenaria për fëmijët është e natyrshme, por mbi të gjitha thekson rëndësinë e mbështetjes, edukimit, përulësisë dhe thjeshtësisë.

Shëndeti mendor dhe stigma në rajon

Gjatë konferencës “Lifestyle 2025”, Kosovë, Lifelong and harm reduction, Dr. Ora mbajti një prezantim ku theksoi nevojën për rritjen e ndërgjegjësimit rreth shëndetit mendor, një temë që shpesh anashkalohet në shoqëritë e rajonit.

Dr. Vera Ora, psikiatre, në emisionin “Diagnozë”.

“Shëndeti mendor fatkeqësisht nuk flitet hapur. Shumë njerëz ende e lidhin atë me turp apo paragjykim, çka i pengon të kërkojnë ndihmë në fazat e hershme,” thotë Dr. Ora. Ajo vëren se stigma mbetet një nga pengesat kryesore për qasjen ndaj shërbimeve të shëndetit mendor në Kosovë dhe Shqipëri.

Shqipëria dhe Londra: dy realitete të ndryshme

E pyetur për dallimet mes sjelljes së pacientëve në Londër dhe në Shqipëri/Kosovë, Dr. Ora ofron një perspektivë të qartë:

“Në Londër, për shkak të popullsisë më të madhe, kërkesa për shërbime të shëndetit mendor është më e lartë. Por ajo që vë re është një hapje më e madhe për të folur për sfidat psikologjike dhe një prirje për të kërkuar ndihmë në mënyrë parandaluese. Pacientët diskutojnë lirshëm me familjen, miqtë dhe profesionistët, dhe terapia nuk shihet si tabu.”

Kjo hapje, sipas saj, ndihmon në trajtimin e hershëm, parandalimin e krizat akute dhe rritjen e mirëqenies së përgjithshme.

Nga mjeke e përgjithshme te psikiatria: rruga profesionale e Dr. Orës

Dr. Ora fillimisht ka punuar si mjeke e përgjithshme, por e pa veten më të përfshirë në trajtimin e vuajtjeve të brendshme, të padukshme.

“Shëndeti mendor ka një sfidë të veçantë, nuk shihet dhe nuk dëgjohet. Pashë se mund të ndihmoja më shumë njerëz pikërisht në këtë fushë. Në Mbretërinë e Bashkuar gjeta mundësi më të mira profesionale dhe një sistem më të zhvilluar për kujdesin mendor,” tregon ajo.

Megjithatë, shton se edhe në Kosovë e Shqipëri rastet janë më të menaxhueshme, por infrastruktura dhe qasja ndaj terapive moderne ende kanë hapësirë për zhvillim.

Qasjet moderne në trajtimin psikiatrik.

Ndër inovacionet e trajtimit, Dr. Ora thekson rëndësinë e intervenimit të hershëm dhe fokusit në vetëdijësimin e pacientëve:

Dr. Vera Ora, psikiatre, në emisionin “Diagnozë”.

“Baza kryesore e kujdesit në Mbretërinë e Bashkuar është parandalimi. Synojmë që individi të njihet me simptomat e veta, të kërkojë ndihmë sa më herët dhe të ruhet mirëqenia përpara se situata të shkojë drejt krizave akute.”

Kjo qasje, sipas saj, duhet të përafrohet edhe në Shqipëri dhe Kosovë, ku shërbimet e shëndetit mendor janë zhvillim në rritje.

Kjo e vendos pacientin në qendër të procesit terapeutik dhe ndihmon në uljen e barrës së sëmundjeve mendore në nivel shoqëror.

Dr. Vera Orën na kujton edhe një herë se shëndeti mendor është themeli i çdo forme mirëqenieje. Në një rajon ku stigma ende mbizotëron, ekspertiza e saj nga Londra dhe përkushtimi për të kontribuar në vendlindje sjellin një perspektivë të domosdoshme.

Rritja e ndërgjegjësimit, qasja e hershme te profesionistët dhe normalizimi i bisedave për shëndetin mendor janë bazë për një shoqëri më të shëndetshme, psikologjikisht dhe fizikisht.

Stili i jetës dhe energjia e brendshme

Në linjë me temën e konferencës “Lifestyle 2025” në Kosovë, Dr. Ora vlerëson fuqishëm rolin e stilit të jetës në mirëqenien mendore dhe fizike. Ajo rrëfeu se përjetimet personale shëndetësore e kanë bërë edhe më të ndërgjegjshme për rëndësinë e vetëkujdesit, energjisë pozitive dhe balancës ditore.

Roli i nënës dhe krenaria për suksesin e Rita Orës

Një pjesë e rëndësishme e diskutimit ishte roli i saj si nënë. Dr. Ora është nëna e këngëtares me famë botërore, Rita Ora, një detaj që shpesh tërheq vëmendje, por që ajo e trajton me thjeshtësi dhe natyrshmëri.

Dr. Vera Ora, psikiatre, në emisionin “Diagnozë”.

“Jam nënë krenare, por fëmijët e mi i kam trajtuar gjithmonë në mënyrë të barabartë. Edukimi dhe ekuilibri familjar janë thelbësorë. Suksesi duhet parë si punë e ndershme, jo si privilegj.”
Ajo shprehet se normalizimi i suksesit, disiplinës dhe thjeshtësisë është baza që mban të shëndetshme marrëdhëniet familjare, pavarësisht famës apo arritjeve profesionale.

“Jam një nënë krenare, si çdo nënë tjetër,” thekson Dr. Ora. “Nuk ka dallim mes meje dhe nënave të tjera shqiptare. Secila prej nesh ka suksesin e vet në rolin e nënës dhe kjo është ekvivalente me suksesin e fëmijëve tanë.”

Ajo nënvizon se mbështetja që i ka dhënë Ritës ka qenë gjithmonë e bazuar në dashuri, orientim dhe vlerat familjare. Në sytë e saj, suksesi i Ritës në skenën ndërkombëtare është reflektim i përkushtimit familjar që çdo nënë e përjeton, pavarësisht nëse fëmija është i njohur globalisht apo jo.

Ky reflektim i sinqertë e vendos në qendër rolin e nënës si një profesion më vete, një investim emocional dhe moral që formëson brezat, përtej karrierave individuale apo famës.

Në përmbyllje të intervistës, Dr. Ora thekson rëndësinë e vetëvëzhgimit dhe kërkimit të ndihmës profesionale pa hezitim:

“Shëndeti mendor është themeli i çdo gjëje. Njihni veten, vëzhgoni shenjat e para dhe mos prisni derisa vështirësitë të kthehen në krizë. Kërkoni ndihmë është shenjë force, jo dobësie.”

Emisioni “Diagnozë” transmetohet çdo të shtunë në orën 18:00, në A2 CNN. (A2 Televizion)


A2 CNN Livestream

Latest Videos