“Kishte pak shpresa”, Eni Jani rrëfen momentet me Gencin: Mirënjohje mjekëve dhe mbështetësve

Nga Armend Pire
20 Tetor 2025, 11:14 | Sociale

Emisioni “Diagnozë” nga autorja dhe moderatorja Freskida Miloti sjell në rubrikën “Impakt Shëndet” rrëfimin e aktores Eni Jani Fuga. E njohur për një nga rolet më të bukura në telenovelën e parë shqiptare “Njerëz dhe fate”, aktorja tregoi sesi ka vijuar karriera e saj në fushën mediatike.

Ndër të tjera Eni kaloi edhe një situatë të vështirë shëndetësore familjare. Bashkëshorti i saj Genci Fuga pësoi një goditje në tru afro 2 vite më parë, duke kaluar në një kalvar të gjatë trajtimesh. Aktorja tregoi se falë Zotit, mjekëve të mrekullueshëm të repartit të neurologjisë dhe lutjeve të shqiptarëve që u solidarizuan në këtë vuajtje, Genci gëzon shëndet të mirë dhe kanë një jetesë familjare të lumtur, shkruan A2 CNN.

“Patjetër që kam një mirënjohje për të shprehur, sepse situata në të cilën Genci vajti nuk ishte e mirë. Pothuajse ishte me një përqindje të vogël shprese, por vërtetë që ato kanë bërë një mrekulli me Gencin. Ishin grup, nuk i ndaj dot, nuk i ndaj dot, sepse gjithë grupi ishte: doktor Arseni, doktor Arbeni, profesor Petrela, doktoreshë Vojsava... më kujtohen tani edhe kështu që jam pafund mirënjohëse. Ja kam shprehur sa kam mundur. Faleminderit Zotit, se mbi të gjitha unë jam edhe që besoj në Zot, edhe kjo vërtetë ka qenë një mrekulli e Zotit. Një nga gjërat që unë e them me më shumë bindje ishte dhe energjia edhe gjithë ato lutjet e njerëzve, gjithë lutjet e tyre në lidhje me Gencin. Mendoj që ka ndikuar te kjo gjëja.” – tha aktorja në emisionin “Diagnozë” në A2 CNN.

Eni Jani tregoi ndër të tjera se aktualisht në familjen e tyre ka paqe dhe momente të bukura. Në intervistën e dhënë, aktorja rrëfeu edhe për mënyrën sesi e ndanë ditën, mes profesionit, shoqërisë dhe familjes. Njeriu bëhet më i fortë pas sfidave, dhe këtë Eni e konfirmoi me përballimin e çdo situate në shëndetin e Gencit. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos