Xhamia e Muradijes në qendër të Vlorës, një objekt i besimit mysliman i ndërtuar që në shekullin e 16, është një ndër destinacionet kryesore të turistëve të huaj.
I vlerësuar si objekt i trashëgimisë kulturore të kategorisë së parë që mbrohet nga shteti, kjo xhami prej më shumë se një viti nuk është e disponueshme të vizitohet nga turistët e shumtë që vijnë enkas për ta parë. Të tërhequr nga arkitektura dhe historia e saj, shumë turistë mbeten të zhgënjyer që nuk arrijnë ta shijojnë nga brenda këtë objekt kulturor dhe historik të Vlorës.
“Për Vlorën dhe Shqipërinë lexuam në internet. Xhamia na pëlqen, por nuk mundëm ta vizitonim në brendësi sepse është e mbyllur pasi është për rikonstruktim. Edhe për xhaminë ne kërkuam dhe e gjetëm në internet”, thotë një turiste për A2CNN.
“Unë vij nga Amerika dhe jam për herën e parë në Vlorë. Ne arritëm këtu mbrëmjen e kaluar dhe sot kemi vizituar disa monumente kulture dhe mund të them që na pëlqejnë shumë. Më pëlqen xhamia, arkitektura e ndërtimit të saj. Unë ende nuk e kam parë nga brenda saj sepse është e mbyllur. Për këtë destinacion kontrollova në internet. Në video kjo xhami ishte shumë më bukur se në realitet”, thotë një tjetër turist.
“Unë vij nga Gjermania dhe deri tani nuk kam vizituar tjetër qytet veç Vlorës. Më pëlqen shumë edhe deti këtu. Monumenti i kulturës pas shpinës sime është shumë i vjetër, por duket vërtet mirë. Ne provuam që të shkonim në brendësi të tij, por është mbyllur dhe na thonë se është në rikonstruksion. Do të donim ta shikonim, por në këto kushte do të duhet të kthehemi pas një viti ndoshta për ta parë nga brenda”, shprehet turisti.
Xhamia qëndron e mbyllur për vizitorët që nga data 4 tetor i vitit të kaluar ku ashtu si shumë objekte edhe xhamia u përmbyt nga reshjet e asaj periudhe.
Edhe pse prej muajsh është vendosur rikonstruksioni i saj deri më tani jo vetëm që nuk është bërë asgjë konkrete, por ende nuk ka filluar as puna për rikonstruksionin e saj. (A2 Televizion)