Shpenzimet e universiteteve, më shumë para për roje sesa për studentët apo kërkimin shkencor

Nga Armend Pire
20 Nëntor 2025, 15:00 | Sociale

Tetë universitetet publike në Shqipëri shpenzuan 103 milion euro në një vit. Raporti i publikuar nga Qëndresa Qytetare tregon se universitetet 64% të buxhetit e shpenzuan vetëm për paga, ndërsa vetëm 4.2% për kërkim shkencor. Ndonëse një e drejtë ligjore për informim, dy universitete ende nuk i kanë bërë publike shpenzimet duke mos iu përgjigjur as vendimit të gjykatës administrative për informim publik.

“Universiteti i Tiranës dhe ai Universitet i Mjekësisë kanë refuzuar të japin kontratat e blerjeve duke i konsideruar ato sekrete tregtare”, thotë Rigels Xhemollari, përcjell A2 CNN.

Në një galeri të improvizuar pranë rektoratit të Tiranës, aktivistët denoncuan shpenzimet e fryra të universitetet që orientohen drejt kompanive private sesa drejt pedagogëve apo studentëve.

“Universiteti i Tiranës paguan 1.65 milionë euro për roje, Elbasani afro 1 milion, ndërsa UPT 842 mijë euro. Nga ana tjetër, UAMD ruhet me katërfish më pak fonde. Për çfarë shërben kjo kosto e lartë sigurie, kur universitetet nuk kanë pasur incidente dhe kur mungojnë pajisje thelbësore me vlerë të lartë?”, shtoi

Orientimin e gabuar të shpenzimeve të universiteteve e denoncoi edhe pedagogu Ervin Goci, i cili thotë se ai dhe shumë kolegë të tij nuk mbështeten për kërkimin shkencor. “Merrja pagën, e dorëzoja për kërkim shkencor”.

Përfitime nuk kanë as studentët, ndonëse shumë kontrata lidhen në ëmër të tyre, shërbimi nuk përfundon tek ata. “Paguajmë për printera dhe bojë dhe fotokopjojmë jashtë unioversiteteve”, tha Mateo Yskollari.

Vetëm në vitin 2025, SPAK lëshoi 28 masa sigurie për korrupsion në Universitetin Bujqësor ku zyrtarët abuzuan në 9 procedura prokurimi me vlerë 900 000 euro, ndërsa KLSH propozoi 35 masa disiplinore për dy universitete të tjera dhe Akademinë e Shkencave. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos