Situata nga reshjet në Qarkun e Kukësit, përveç problematikave me rrëshqitjet e dherave në rrugë dhe furnizimit me energji elektrike kryesisht të zonave rurale malore, ka nxjerrë në pah edhe një tjetër mangësi sa i takon mungesës së furnizimit të shkollave në zonat rurale me lëndë drusore për ngrohje.
Në këto zona, temperaturat janë ulur dhe pritet që në orët në vazhdim të fillojnë edhe reshjet e dëborës, shkruan A2.
Apeli ka ardhur nga vetë prefekti i Qarkut të Kukësit, në mbledhjen me komisionin rajonal të Emergjencave Civile.
Furnizimi me energji elektrike vijon të mbetet një shqetësim i përvitshëm në zonat rurale të qarkut për shkak të defekteve në linjat e transmetimit gjatë motit me reshje apo erëra.
Ndërsa niveli i baseneve ujëmbledhës është në kuota të sigurta dhe nuk paraqesin probleme. (A2 Televizion)
