Plazh në tetor, vlonjatët dhe pushuesit e huaj po shfrytëzojnë motin e ngrohtë

Nga A2 CNN
14 Tetor 2025, 23:43 | Sociale

Në Vlorë vazhdon të bëhet plazh edhe këtë tetor. Në qytetin bregdetar vazhdon të gjesh pranë detit jo vetëm qytetarë të Vlorës, por edhe pushues të huaj të cilët janë përgjatë kësaj periudhe kryesisht europianolindor dhe perëndimor.

Në qytet është krijuar tashmë një traditë, ku sa herë që dielli shkëlqen, vlonjatët dhe të huajt i drejtohen plazhit, shkruan A2. Spikatin turistët nga Letonia dhe Suedia, që i takojmë edhe këtë të dielë në bregdetin e Lungomares. Të mbërritur në Vlorë për herën e parë, tregojnë se janë të dashuruar me pamjen, detin, natyrën, klimën që qyteti ofron. Ata kanë zgjedhur këtë periudhë të vitit për pushime për shkak të çmimeve më të ulta dhe qetësisë që Vlora ofron, shkruan A2.

Në Shqipëri çmimet, sipas tyre, janë në rritje nga viti në vit, por mbeten më të ulta se vendet e tyre të origjinës: "Unë jam nga Letonia. Jam për herën e parë në Vlorë. Doja të shikoja se si mund t ëishte Vlora për pushime, të vija vërdallë dhe të shikoja plazhe si dhe të vizitojë ishullin dhe Karabrunin. Më tepër këtu më pëlqen dielli, klima... Megjithëse jemi në tetor, moti është shumë i mirë këtu. Zgjodhëm pushimet në tetor për shkak se fluturimi ishte i lirë. Këtu është shumë qetë tani, nuk ka shumë njerëz. Për dy javë do të qëndrojmë në Shqipëri, do të vizitojmë edhe qytete të tjera”.

"Ne vijmë nga Suedia, veriu i Suedisë. Është hera e tretë që vijmë në Shqipëri. Fluturimi jonë nga Suedia për në Shqipëri zgjati vetëm dy orë, ishte perfekt për ne, shumë pak zgjati në kohë. Është hera jonë e parë që vizitojmë Vlorën. Ne kemi vizituar më parë dy herë Durrësin dhe vitin e kaluar ishim për pushime në Sarandë. Ne kemi në Vlorë vetëm një ditë tashmë dhe do shohim se çfarë do të na pëlqejë këtu. Në Vlorë plazhi është shumë i bukur, më i bukur edhe se në Durrës, por Saranda është në krye. Çmimet këtu janë në rritje nga viti në vit. Dy vite më parë ne mendojmë se këtu ishte më lirë. Por, ka çmime tepër të lira të hoteleve dhe ato janë çmimet më të mira. Ushqimi këtu kushton ndoshta gjysmë në çmimin që paguaj unë në Suedi. Është mirë, por jo aq mirë sa dy vite më parë. Ndoshta unë do të kthehem në Vlorë sërish, por Saranda mbetet e preferuar për mua. Por, rruga për në Sarandë është shumë e gjatë nga Tirana dhe Durrësi është më pranë”.

Ndërkohë, edhe operatorët turistik vjeshta ka sjellë një numër të kënaqshëm pushuesish. Luixhinjo Isufaj, administrator i një njësie hoteliere në Vlorë, thotë se prenotimet janë të konsiderueshme edhe përgjatë tetorit. Isufaj thotë se këtë periudhë të vitit dominojnë europianët, me turistët italianë të cilët janë kthyer si të shtëpisë. Fundjavat në Vlorë janë ato të cilat kanë fluksin më të lartë të prenotimeve dhe pushuesve. Kjo fundjavë e tetorit në shifra është e kënaqshme. Moti i mirë ka bërë që prenotimet të shkojnë në kuotën e 20% të dhomave të gjithë njësive hoteliere që janë këtë fundjavë të prenotuara, ku sigurisht dominojnë pushuesit vendas që zgjedhin Vlorën.  

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos