Sëmundjet koronare po shfaqen gjithmonë e më shumë te moshat e reja në Shqipëri. Faktorët janë të ndryshëm, që nga rritja e yndyrnave në gjak, te jeta sedentare apo edhe te pirja e duhanit dhe alkoolit. Më të rriskuar nga këto sëmundje janë burrat, megjithëse konsumi i duhanit te gratë po shton rastet edhe te kjo gjini. E ftuar në studion e emisionit “Diganozë” nga autorja dhe moderatorja Freskida Miloti, mjekja kardiologe Dr. Nevila Çaushi tha se gratë janë më të mbrojtura nga këto sëmundje për shkak të hormoneve femërore që kanë.
“Sëmundjet koronare shfaqen shumë agresive në mosha të reja. Faktorët kryesor janë: jeta sedentare, duhani, alkooli, diabeti, sëmundjet si hipertensioni si dhe faktorët gjenetik që janë favorizues në këto sëmundje. Shfaqja e kësaj patologjie vjen si pasojë e rritjes së yndyrave në gjak. Gratë janë të ruajtura nga estrogjeni, progresteroni gjë që bën të mos kenë yndyrna në gjak. Ndërsa burrat janë disi më të rriskuar të preken, ndonëse te gratë sëmundjet koronare janë më agresive” – tha mjekja.
Sëmundjet koronare nuk duhen neglizhuar. Çdo shqetësim që mund t’ju duket i zakonshëm mund të jetë një sinjal alarmi për kontrolle te mjeku specialist. Këto sëmundje mund të bëhen jetëkërcënuese nëse ekzaminimet nuk kryhen në kohë. Çdo qytetarë që ndjen shqetësime në zemër apo ka një gjendje që nuk e ka përjetuar më parë, është një nga arsyet që duhet t’i drejtohet mjekut kardiolog. Shpesh një shtrëngim gjoksi neglizhohet apo disa rezultate analizash mund të duke jo shqetësuese, por për stafet mjekësore janë të dhëna të rëndësishme në diagnostikimin e sëmundjeve koronare.
“Problemi koronar është problem që lidhet me jetën. Pacienti nëse neglizhon, mund të jetë fatale pasi mbyllet ena koronare, mund të bëj infarkt dhe organizmi del jashtë kontrollit. Duhet të kryeni kontrolle te mjeku specialist, nëpërmjet një EKG-je, e cila tregon një aktivitet elektrik të zemrës. Nëpërmjet EKG-së vlerësohet dhe ritmi i zemrës” – tha mjekja.
Emisioni “Diagnozë” nga autorja dhe moderatorja Freskida Miloti sjell në rubrikën “Impakt Shëndet” rrëfimin e psikologes klinike Doklea Hadergjonaj. Ajo është një nga shumë psikologë që në punën e tyre ndihmojnë edhe gratë me kancer gjiri të jenë të forta në përballimin e kësaj beteje. Rasti i Dokleas është më i veçantë pasi nëna e saj ishte një nga pacientet me kancer gjiri. Ndjeshmëria në trajtimin e këtyre pacientëve është e veçantë pasi Doklea ka kaluar në atë rrugë jo vetëm nga ana profesionale, por edhe familjare. Psikologia ofroi konsulta falas për gratë me kancer gjiri.
Rubrika "Në Farmaci", nga Freskida Miloti, vjen me disa rekomandime për mënyrën sesi të merrni në mënyrë të duhur suplementet e imunitetit. Me ardhjen e vjeshtës, shumë njerëz nisin të marrin vitamina dhe suplemente për të forcuar imunitetin, por jo gjithmonë janë të nevojshme apo të padëmshme. Vitamina C, D, Zinku dhe Probiotikët janë ndër suplementet më të përdorura për mbrojtjen ndaj infeksioneve të stinës. Megjithatë, marrja pa kriter dhe në doza të larta mund të shkaktojë efekte anësore – si p.sh. gurë në veshka nga vitamina C, apo probleme me tretjen nga doza të larta të zinkut. Kërkoni këshillë nga mjeku apo farmacisti, sidomos nëse merrni barna të tjerë.
Emisioni Diagnozë, nga moderatorja dhe autorja Freskida Miloti, vjen për teleshikuesit e A2 CNN çdo të shtunë në orën 18:00, me tematika të ndryshme dhe mjaft të rëndësishme për shëndetin. Qëndroni të informuar nga mjekët më profesionistë që janë pjesë e emisioneve tona, për një shëndet më të mirë. (A2 Televizion)