Fshati Ngraçan në Mallakastër po braktiset çdo ditë e më tepër e kjo për shkak të mungesës së investimeve në infrastrukturë. Fshati është larg nga qendra e Ballshit ku një pjesë e rrugës deri në Panahor është e shtruar, ndërsa pjesa tjetër është çakull e rërë bituminoze.
Ndër problemet e fshatit është edhe uji i pijshëm. Banorët rrëfejnë për mikrofonin e A2 CNN se detyrohen ta marrin ujin 2 apo 3 km larg ku kanë hapur puset me krah, e më pas kanë shtruar tubat plastike deri në banesa.
Problem tjetër është edhe mungesa e stafeve mjekësore. Fshati nuk ka as mjek e as infermier. Banorët thonë për të bërë injeksionet shkojnë në Ballsh, rruga është e prishur e duhet të marrin apo porosisin furgonin që të shkojnë.
Banorët pohojnë se fshati dikur ka pasur afro 300 shtëpi të banuara e tani nuk kanë mbetur as 70. Edhe shkolla e fshatit po shkon drejt mbylljes, pasi këtë vit shkollor përfunduan studimet 13 fëmijë.
Shqetësimet e tyre janë bërë prezentë nga kryeplaku i këtij fshati në Bashkinë Mallakastër e cila ka dërguar projektin për shtim fondi për përfundimin e shtrimit të kësaj rruge por se kur do të përfundojë akoma nuk ka një afat./ A2 CNN (A2 Televizion)