Prishi xhaminë në vitin 1967, pendohet i moshuari nga Ravoniku: Të rindërtohet

Nga Armend Pire
13 Janar 2026, 15:22 | Sociale

Rini Topçiu ishte njeriu që në vitin 1967 drejtoi bashkëfshatarët e tij në Ravonik për të prishur xhaminë dhe kishën e fshatit. Ai tregon se urdhri ishte që rinia e fshatit të prishte xhaminë, urdhër që u zbatua nga ai i pari dhe nga të tjerët.

“Me urdhër të Enver Hoxhës të prishej xhamia dhe kisha, ta prishte rinia. Ju si mendoni? Me urdhër të atij bëjmë çdo gjë, thashë. Mblodha rreth 10 veta, ramë dakord dhe në mëngjes, në orën 8, filluam prishjen e xhamisë. Kam hyrë unë i pari, pas xhamisë, prishëm minaren. Ikëm në kishë dhe e prishëm gjithë kishën. Ndërsa pemët i lamë dhe bëmë stërvitje për çetën”, tregon ai për A2 CNN.

Sot, i moshuari është penduar për këtë akt dhe kërkon që xhamia e fshatit të tij të rindërtohet. “Prapë me urdhër erdhi të ndërtohej kisha e xhamia. Prapë ne filluam të ndërtonim kishën dhe xhaminë. Kisha u ndërtua, xhamia jo. Kanë kaluar 20 vite dhe sot fshati më thotë: ti e prishe, ta ndërtosh. I kam çuar letra Berishës, Ramës. I kam vajtur kryetarit të qarkut, i kam vënë në dijeni. Myftiu është indiferent, si i vjetri ashtu edhe i riu. Për xhaminë thonë nuk kemi lekë. Edhe si ajo, peng që e kam”, thotë ai.

Kryeplaku i fshatit Ravonik, Arjan Farasholli, tregon se kërkesa e gjithë fshatit është që xhamia të ndërtohet, por duhet gjetur një tokë e re, pasi aty ku ka qenë më parë ka probleme me pronësinë dhe tokën. “Normalisht kërkesa e gjithë fshatarëve dhe komunitetit është që të ketë një xhami, por për vendin nuk e them dot. Në atë vend ku ka qenë, pronat janë blerë. Duhet parë diçka e arsyeshme, një vend i përshtatshëm”, thotë ai.

Pjesa dërrmuese e banorëve të fshatit Ravonik i përkasin besimit mysliman dhe kërkesa e tyre vijon të jetë e njëjtë prej vitesh: ndërtimi i një xhamie ku të kenë mundësi të kryejnë ritualet e tyre fetare. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos