Dega e mësuesisë në shkollat e larta, që përgatit mësuesit e ardhshëm të vendit, vijon të mbetet ndër degët më pak të preferuara nga maturantët që kandidojnë për arsimin e lartë.
Madje në disa universitete numri i ulët i kërkesave për këtë degë rrezikon të çojë në pezullimin e programit për vitin akademik 2024-2025. Një prej tyre është edhe universiteti i Gjirokastrës “Eqrem Çabej”.
Përveç orientimit që sjell tregu i punës, zëdhënësja e universitetit të Gjirokastrës nënvizon se ndoshta edhe kriteret që janë vendosur për degën e mësuesisë dhe më pas edhe për të kompletuar një mësues me marrjen e licencës shikohen si një pjesë të arsyeve që mësuesia ka kërkesa kaq të ulëta, shkruan A2.
“Si gjithmonë degë të rrezikuara mbarten programet e mësuesisë dhe kjo ndoshta i ndikohet edhe faktit të vendosjes së mesatares që në hyrje të aplikimeve dhe regjistrimeve në institucionet e arsimit të lartë. Ndoshta edhe për të gjithë ato faza që duhet të kalojë një mësues për tu licencuar si mësues dhe të hyjë drejt e në tregun e punës. Ndoshta gjithë kjo kohëzgjatje që i dedikohet një programi mësuesie, duke nisur prej procesit të studimit e deri kur ai të punësohet, ka ndikuar që një pjesë e madhe e maturantëve të mos zgjedhin degën e mësuesisë”, tha për A2 CNN zëdhënësja e universitetit “Eqrem Çabej”, Brikena Meta.
Ndonëse jemi ende në fazën e parë të regjistrimeve, në universitetin e Gjirokastrës degën që kanë më shumë kërkesa nga maturantët për të vijuar arsimin e lartë janë infermieria, ekonomiku dhe teknologji informacioni. (A2 Televizion)