3% e fëmijëve dhe adoleshentëve në mbarë botën vuajnë nga skolioza ose thënë ndryshe deformimi i shtyllës kurrizore në formë S-je. Në Shqipëri nuk ka shifra të sakta, por referuar vizitave dhe shqetësimeve të prindërve, mjekët ortopedë po konstatojnë rritje të rasteve me skoliozë.
Por cilat janë shenjat që çdo prind mund të dallojë më sy të lirë praninë e skoliozës te fëmijët e tij? “Shenja e parë është asimetria e supeve. Njëri sup pak më vonë se tjetri. Dhe e dyta është dhimbja e shpinës me natyrë të pashpjegueshme”, thotë për A2 CNN mjeku Abdurraman Palushi.
Ai tregon se Skolioza Idiopatike, që po prek fëmijët dhe adoleshentët, ende për mjekësinë nuk ka shkaqe të njohura. Por masat që u rekomandohen prindërve për parandalimin e sëmundjes, tregojnë se pesha mbi shpinë dhe qëndrimi jo i duhur në bankë dhe para pajisjeve elektronike nxisin skoliozën.
“Ka shumë fëmijë të cilët lexojnë ose mësojnë shtrirë barkas, në pozicion jo korrekt. Pra duhet detyrimisht qëndrimi në karrige gjatë gjithë kohës që i përkushtohen mësimit, në shkollë e në shpi”, thotë Palushi. “Çanta e shkollës duhet të mbahet në të dy krahët. Nëse e mbajmë në një krah automatikisht krijojmë një precedent për ta rënduar deformimin. Gjithashtu të shmangë sa të mundet telefonin celular”.
Krahas deformimit të shtyllës kurrizore, skolioza shkakton edhe probleme me funksionimin e zemrës dhe mushkërive. Mjekët ju bëjnë thirrje prindërve që mos presin fushata apo muaj ndërgjegjësimi. Diagnostikimi i hershëm i skoliozës bën të mundur rikuperimin në kohë të deformimit. (A2 Televizion)