Rezultatet e dobëta të nxënësve shqiptarë në krahasim me moshatarët e tyre në rajon dhe botë ishin të pritshme. Mungesa e investimeve, buxheti i ulët për arsimin, tekstet jo cilësore dhe mësuesit e pamotivuar janë disa nga shkaqet e degradimit të arsimit në vend.
Kështu e ka komentuar shoqëria civile rezultatin e provimit ndërkombëtar “Pisa 2022”, i cili e renditi Shqipërinë ndër vendet e fundit në botë, për arritjet e dobëta të nxënësve 15 vjeçarë në Matematikë, Lexim dhe Shkenca.
Në krahasim më renditjen e “Pisa 2018” Shqipëria ka rënë me 69 vende në provimin e matematikës, 47 në testin e leximit dhe 41 vende më poshtë është renditur në shkencë.
Drejtues të lartë të Ministrisë së Arsimit pranojnë rezultatin edhe pse përpiqen t’ia faturojnë pandemisë globale dhe tërmetit të 2019 që goditi Tiranën dhe Durrësin.
Por “Pisa 2022” nxori në pah edhe mungesën e infrastrukturës digjitale në shkollat e Shqipërisë. Vetë drejtues të arsimit pranojnë se shumë nxënës të përfshirë në testin e informatizuar nuk e përdornin dot.
Edhe kryeministri Rama deklaroi se pandemia e koronavirusit dha efekte negative dhe jo vetëm për Shqipërinë në këtë testim. I ftuar ne emisionin debat në A2 kreu i qeverisë foli për një plan masash për arsimin.
Edhe pse pandemia e koronavirusit ishte globale, Shqipëria shënoi rënien më të madhe në provimin ndërkombëtar mes 81 vendeve pjesëmarrëse. Ekspertët e PISA-s përzgjodhën në mënyrë të rastësishme mbi 6500 nxënës shqiptarë nga 274shkolla të vendit. (A2 Televizion)