Zemra shkaku kryesor, vdekjet e papritura ndodhin edhe tek të rinjtë

Nga Ornela Joti
19 Shtator 2024, 16:32 | Sociale

Rreth 50 persona për 100 mijë banorë humbin jetën nga vdekjet e papritura. Zemra është shkaku kryesor I këtyre fataliteteve që më së shumti ndodhin tek meshkujt.

Mjekët kardiologë thonë se humbjet e papritura të jetës mund të ndodhin edhe moshat e reja, ku në 80%  të këtyre rasteve është i fshehur një problem kardiak, raporton A2.

Vdekjet e papritura mund të ndodhin edhe në njerëz të shëndetshëm. Ato mund të paralajmërojnë me shenja ose jo, por  në shumicën e rasteve shanset për rikthimin në jetë të pacientit janë të pakta.

Duhani, alkooli, stresi, jeta sendetare dhe historitë familjare janë faktorët që po ndikojnë  në rritjen e problemeve të zemrës. Edhe për personat që ndihen të shëndetshëm, mjekët rekomandojnë kontrolle periodike mbi moshën 40 vjeç, shkruan A2.

Në mbarë botën sëmundjet e zemrës zënë vendin e parë për sëmundshmërinë por edhe vdekshmërinë në popullatë. Vetëm vitin e kaluar në QSUT janë regjistruar 1900 urgjenca kardiake nga infarktet ku një pjese e tyre kanë përfunduar me humbje jete. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos