
Në një vend ku tranzicioni zgjat gjatë, një shqiponjë mund të kthehet edhe në një papagall. Në fakt, ky është mesazhi që do të shpërndajë artisti italian, Eugenio Tibaldi, në Tiranën e këtyre viteve, i cili vjen me një ekspozitë krejtësisht ndryshe nga ato që keni parë më herët.
“Tirana për mua është mjaft interesante për dy aspekte. Një, sepse ende Shqipëria nuk është pjesë e Europës, në aspektin monetar ekonomik apo social. Por do të jetë së shpejti. Ajo që vë re unë në ndryshim nga vendet e Ballkanit është se Shqipëria do të jetë, por jo të ketë një rol të dytë dhe politika e Tiranës zyrtare sa shoh unë dëshiron të jetë mbi politikat e Ballkanit. Por, së dyti, ky është një risk i madh që ndërmerret, pasi shumë nga identiteti kombëtar humbet. Kjo vihet re në evolucionin që i ka ndodhur kryeqytetit. Në pamje, në ndërtesa, në estetike, kjo nuk është diçka e thjeshtë”, shprehet artisti italian.
Një Tiranë e vjetër e ndërtuar me dru dhe me elementë të cilët shkëputen nga njëri-tjetri. Më pas, një Tiranë të cilës i ndryshon koncepti, e ndriçuar.
“Këtë vit kur vizitova për herë të parë Tiranën, pashë që shumë ndërtesa të reja kishin shkëlqim, shkëlqimin e një qyteti të ndërtuar tani. Unë mbërrita në mbrëmje në Tiranë. Gjatë ditës, vura re se rrugicat me shtëpi të vjetra, as rrugët nuk i kishin të rregulluara. Duket sikur thonin shikoni vetëm anën e shndritshme. Ato kanë kontrollin dhe vizionin e qytetit”, shprehet artisti.
Një kontroll, që sipas artistit, Tirana e shkujdesur ende nuk e ka. (A2 Televizion)