Vajza nga Amerika Latine, rrjet prostitucioni në mes të Tiranës. Në pranga kreu i grupit në Kolumbi

Nga Igli Çelmeta
3 Tetor 2025, 23:38 | Kronikë

Pas 8 muajsh hetime, Policia e Tiranës, në bashkëpunim me autoritetet e Kolumbisë, Kroacisë, si dhe me Europol dhe Eurojust, finalizoi operacionin e koduar “Rrjeti”, duke goditur një prej grupeve më të mëdha të trafikut të qenieve njerëzore.

Në Shqipëri u ekzekutuan masa sigurie për 9 persona, 7 prej tyre të arrestuar, ndërsa dy të tjerë u shpallën në kërkim.

Në Medelin të Kolumbisë, u arrestua kreu i grupit, 25-vjeçari Lukas Giraldo Betancur, i konsideruar si organizatori kryesor i rekrutimit të vajzave në Shqipëri. Babai i tij, Giraldo Betancur, njihet si drejtues i disa rrjeteve të prostitucionit në Europë dhe si një nga figurat më të njohura të krimit të organizuar në Kolumbi, shkruan A2.

Burime policore bëjnë me dije se rrjeti kishte bazën në një hotel pranë zonës së “Tregut Çam” në Tiranë, ku akomodoheshin dhe shfrytëzoheshin vajzat. Hetimet zbuluan se vajzat rekrutoheshin në Kolumbi me premtimin e punësimit në turizëm në Shqipëri, por sapo mbërrinin këtu, detyroheshin të ushtronin prostitucion. Në rast refuzimi, ato kërcënoheshin, ndërsa presion ushtrohej edhe mbi familjet e tyre në vendlindje.

Për arrestimin e Betancurit në Kolumbi udhëtuan edhe oficerë të Policisë shqiptare, mes tyre zv/drejtori i Policisë së Tiranës, shefi i sektorit kundër trafiqeve dhe narkotikëve si dhe prokurori i çështjes, të cilët morën pjesë në finalizimin e operacionit.

Nga hetimet rezulton se në këtë aktivitet kriminal ishin të përfshirë disa persona me role të ndryshme, sigurim klientësh, shpërndarje droge për vajzat, strehim dhe mbledhje të ardhurash, të cilat më pas transferoheshin përmes kriptovalutave drejt Kolumbisë. Në total, u proceduan penalisht 48 shtetase të huaja për ushtrim prostitucioni, ndërsa u sekuestruan para, 7 celularë dhe prova të tjera materiale. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos