
Drejtori ekzekutiv i “Teach For Kosova”, Egzon Gashi, listohet në revistën prestigjoze amerikane “Forbes” si një nga personat me më ndikim në “30 under 30”.
Në një intervistë për “Klan Kosova” ai shprehet se përmes “Teach For Kosova” synon të punojë për ngritjen e barazisë dhe për parandalimin e pengesave që ekzistojnë në arsim. Një prej sfidave që haset në Kosovë është përzierja e politikës në fushën e arsimit, shprehet ai.
“Mendoj se me zhvillimin e çfarëdo organizate, dhe sidomos kur kalon në një shtet tjetër, ka sigurisht sfida gjatë rrugëtimit. Në të njëjtën kohë, mendoj se Kosova paraqet sfida unike. Një nga këto sfida, për shembull, është të punosh me një sistem arsimor të politizuar. Megjithëse është shpesh e qartë për mua që zyrtarët lokalë të komunave dëshirojnë të punojnë me organizatën tonë dhe mësuesit apo “Fellows” tanë, ata shpesh nuk janë në gjendje ose nuk dëshirojnë të bashkëpunojnë për arsye politike”, shprehet ai.
Egzon Gashi është djali i gazetarit të njohur Sulejman Gashi, dhe është rikthyer në Kosovë për të vazhduar rrugëtimin e babait të tij të ndjerë. (A2 Televizion)