
Muaji shtator u mbyll me reshje të bollshme dhe me temperatura të larta ku mesdita e fundit e muajit ka shënuar 29,6°C në bregun jugperëndimor. Një parametër mjaft problematik për shumë ditë të shtatorit ka qenë edhe shpejtësia e lartë që era ka shënuar kryesisht në brigjet detare dhe mjaft shpeshta edhe në zonat e ultësirës perëndimore duke shkaktuar dallgëzim të lartë por edhe thyerje pemësh në disa zona urbane.
Vlen të theksohet se, ky shtator, ndryshe nga të paktën 3-4 vitet e mëparshme, ka sjellë në vend sasi shumë të larta të reshjeve duke përmirësuar dukshëm situatën hidrike; në pellgjet ujëmbledhëse të Fierzës, Komanit dhe Vaut të Dejës reshjet e këtij muaji vlerësohen sa nga 3,5 në 4-fishin e normave të reshjeve mujore. Në të gjitha ditët me reshje, stuhitë me rrebeshe shiu u fokusuan në zonat veriore ku në 24 orë, sasitë e reshjeve kanë variuar nga 180 në 300 mm nga veriperëndimi dhe skajin verior të Shqipërisë.
Konkretisht, pellgjet Fierzë, Koman dhe Vau i Dejës kanë marrë nga 350 në 550 mm reshje gjatë shtatorit 2022, ndërsa reshje të konsiderueshme deri në 2-fishin e normës ka pasur në zonat qendrore në shtrirjen Krujë – Tiranë – Elbasan. Zonat jugore kanë shënuar reshje shumë më të pakta se pjesa tjetër e vendit, por megjithatë kanë plotësuar normat mujore të cilat në klimën shqiptare vlerësohen nga 40 mm në juglindje deri në 80 mm në zonat malore jugperëndimore si Llogaraja, Tepelena dhe Gjirokastra.
Muaji shtator 2022 ka thyer tablonë e thatësirës së gjatë që përfshiu territorin shqiptar pas përmbytjeve të dimrit 2020 - 2021. (A2 Televizion)