
Policia e Fierit ka finalizuar me sukses operacionin e koduar “Shtegtari”, duke vënë në pranga çiftin e bashkëshortëve, të cilët janë kapur me lëndë narkotike, kokainë dhe kanabis.
Sipas policisë, janë vënë në pranga shtetasit E. B., 56 vjeç dhe R. B., 44 vjeçe, banues në Fier.
“Shërbimet e Policisë gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e tyre të marrë me qira në Fier, gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale 28 doza me lëndë narkotike të dyshuar kokainë dhe 24 doza me lëndë narkotike kanabis sativa.
Gjithashtu, për këta shtetas, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Lushnjë ka nxjerrë urdhërndalimi për veprën penale "Falsifikimi i monedhave" pasi këta shtetas, në qytetin e Lushnjës dhe Divjakës, në kohë të ndryshme kanë blerë artikuj me kartëmonedha të dyshuara të falsifikuara, ku janë dokumentuar 3 raste në muajt korrik dhe dhjetor 2020”, njofton policia. (A2 Televizion)