Shtëpia digjet, zjarrfikësit dalin foto

Nga A2 CNN
2 Janar 2020, 14:47 | Bota

Ka shkaktuar zemërim në publik fotoja e një skuadre zjarrfikësish që pozonin duke qeshur për të dalë fotografi përpara një shtëpie të përfshirë nga flakët në Detroit.

Fotografia u publikua në faqen online të Departamentit të Zjarrfikësve në Detroit me mbishkrimin “Grupi gjeti një moment për të bërë selfie për Vitin e Ri” dhe reagimet në rrjet ishin të menjëhershme.

Zjarrfikësit u munduan të justifikoheshin duke thënë se fotoja u bë për t’i dhënë lamtumirën një drejtuesi të brigadës që dilte në pension. Por komisioneri për Zjarret në Detroit, Eric Jones u shpreh se ka shumë mënyra të tjera për të përshëndetur një koleg dhe ajo përpara një shtëpie që digjet nuk është e duhura. Sipas tij, pas çdo shtëpie të djegur është një familje që vuan.  Ai shtoi se një hetim është hapur për këtë çështje dhe nëse do të shihet e arsyeshme do të merren dhe masa.

Mësohet se në momentin e zjarrit, shtëpia në flakë dhe ajo e fqinjit nuk kishin njerëz brenda tyre. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos