Shtyhet mbledhja e kolegjit të kryetarëve të PD, janë njoftuar vetëm një pjesë e tyre

Nga A2 CNN
10 Dhjetor 2021, 14:27 | Politikë
Shtyhet mbledhja e kolegjit të kryetarëve të PD, janë

Mbledhja e kolegjit të kryetarëve të degëve të Partisë Demokratike në të gjithë vendin, që ishte e planifikuar për t’u mbajtur në orën 14:00, është shtyrë.

Disa prej kryetarëve të degëve, me të cilët gazetarja e A2 CNN, Arestina Skënderi, ka komunikuar, kanë thënë se nuk janë njoftuar.

Këtë e pohoi edhe kryetari i PD-së në Vlorë, Genc Deromema, në studion e Ditarit të A2 CNN. “Nuk kam një njoftim që do të thotë që zoti Basha apo Bardhi nuk më njohin, ose kanë harruar. Me disa kolegë që kam komunikuar, nuk janë njoftuar edhe ata. Nuk e di nëse është fenomen, apo përzgjedhje e zotit Basha”, tha Deromama.

Një pjesë e këtyre kryetarëve, të cilët kanë shprehur mbështetje për Sali Berishën, nuk janë njoftuar nga Sekretari i Përgjithshëm, Gazment Bardhi. Nga ana tjetër, kreu i PD-së Fier dhe Kukës, të komanduar së fundmi nga Basha, janë njoftuar se do të jenë pjesë e mbledhjes.

Çështjet që do të diskutohen në këtë takim janë Kuvendi i 18 dhjetorit, si dhe distancimi që PD-ja zyrtare do t’i kërkojë strukturave të demokratëve nga Kuvendi i 11 dhjetorit dhe nga çdo skenar që do të ndjekin mbështetësit e kësaj dite. Pas kësaj mbledhjeje, pritet që Sekretari i Përgjithshëm të mbajë një konferencë me mediat.

Pritet që mbledhja të zhvillohet rreth orës 16:00 dhe më pas do të ketë edhe një konferencë për mediat nga Gazment Bardhi. Zyra e shtypit e PD-së, ka bërë të ditur se në këtë mbledhje janë njoftuar vetëm ata krerë që janë angazhuar dhe kanë punuar për kuvendin e 18 dhjetorit. Ndërkohë, Basha bashkë me krerët e degëve të partisë në rrethe, pjesëmarrës në mbledhje, është larguar për drekën. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos