Shtyhet për në 16 prill seanca ndaj ish-kryeprokurorit Adriatik Llalla

Nga A2 CNN
2 Prill 2021, 10:31 | Kronikë
Shtyhet për në 16 prill seanca ndaj ish-kryeprokurorit Adriatik Llalla

Gjykata e Posaçme ka shtyrë për në 16 prill seancën ndaj ish-kryeprokurorit Adriatik Llalla. Shkak i shtyrjes është bërë ndërrimi i avokatit.

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar kërkon të dërgojë në qeli ish-Prokurorin e Përgjithshëm, Adriatik Llalla. Në konkluzionet përfundimtare të lexuara në 19 mars, prokurorët e SPAK kërkuan deklarimin fajtor të Llallës dhe dënimin e tij me 2 vite burg.

Për shkak uljes që garanton gjykimi i shkurtuar, kërkesa përfundimtare e SPAK për ish-kryeprokurorin ishte një dënim me 1 vit e 4 muaj burg.

Përveç vuajtjes në qeli, prokurori Klodian Braho, kërkoi si dënim plotësues përjashtimin e Llallës për 5 vite nga çdo funksion publik. Ish-kryeprokurori u hetua dhe gjykua në gjendje të lirë, çka do të thotë, që edhe nëse dënohet me burg, ai nuk shkon në qeli para se një vendim i tillë të jepet nga një Gjykatë Apeli.

Llalla nuk ishte në sallë gjatë leximit të pretencës, ku u përfaqësua nga avokati i tij. Hetimi ndaj ish-kreut të Prokurorisë së Përgjithshme nisi mars të vitit 2018, kohë kur ai kishte përfunduar mandatin e kryeprokurorit, si edhe dhënë dorëheqjen nga statusi i magjistratit. Fillimisht, ai u hetua për katër vepra penale, mes të cilave “shpërdorim detyre” dhe “pastrim parash”, por në përfundim u dërgua i pandehur vetëm për “fshehjes dhe mosdeklarimit të pasurisë”.

Nga ana tjetër, një apartament i ish-kryeprokurorit në Durrës, si edhe 4 sipërfaqe trualli, gati 20 mijë metra katrorë në total, janë nën sekuestro për llogari të një hetimi pasuror të nisur ndaj tij në zbatim të ligjit “anti-mafia”. Prej shkurtit 2018, Departamenti Amerikan i Shtetit e ka shpallur “non grata” Llallën dhe i ka ndaluar atij dhe familjes hyrjen në SHBA. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos