Gentian Doçi, i shpallur në kërkim për rrëmbimin e Prengës
A2 ka mundur të sigurojë fotografi të tjera të marra nga kamerat e sigurisë të resortit “Golden”, ku trupi i pajetë i Jan Prengës futet në një furgon për t’u nxjerrë jashtë. Një ditë më parë, fotografi nga momentet e fundit të Prengës në liri u publikuan, ndërsa prej 17 janarit të këtij viti ai rezulton i zhdukur.
Policia thotë se rrëmbimi i Prengës u krye me një automjet të vjedhur “Range Over” dhe 49-vjeçari ka mbërritur i vdekur në bodrumin e resorit “Golden” në Shijak. Një ditë pas ngjarjes Policia gjeti të djegur në rrethinat e Durrësit mjetin tip “Range Rover” me ngjyrë të bardhë, i dyshuar i përdorur nga autorët.
Për ngjarjen e rëndë, tre persona janë shpallur në kërkim: Gentian Doçi, fotot e të cilit A2 i ka siguruar, si dhe Altin Hajri dhe Dritan Rexhepi.
Sipas grupit hetimor, arsyeja e konfliktit dhe pengmarrjes së 49-vjeçarit dyshohet një sasi prej 260 kg kokainë që nuk është dorëzuar nga i vëllai, i cili sipas autoriteteve shqiptare rezulton i përfshirë në trafikun e lëndëve narkotike. (A2 Televizion)