
Dekani i Fakultetit të Drejtësisë, Artan Hoxha, komentoi në A2 shtyrjen e zgjedhjeve në universitete nga Ministria e Arsimit për një moment të dytë. Ai vlerësoi se ky është një vendim i duhur në situatën aktuale që jemi duke kaluar.
“Qëndrimin e vlerësoi si pozitiv pasi po përballemi me një gjendje të jashtëzakonshme. Përshëndes datën e shtyrjes së zgjedhjeve, por jo shtyrje të procesit zgjedhor në vetvete, pasi ai ka filluar tashmë dhe për fazën e parë, që është faza e hapjes, aplikimet dhe verifikimet, pritet tashmë vetëm faza e fushatës zgjedhore. Nga urdhri i fundit kuptohet se do të na përcaktojë ministria në një kohë se kur do të shpallet kjo datë dhe mundësia që u jepet kandidatëve për të zhvilluar fushatën”, u shpreh Hoxha.
Hoxha foli edhe për zhvillimet e ditëve të fundit në Universitetin e Tiranës për shkarkimin e Komisionit Institucional Zgjedhor.
“Rektori i ka tejkaluar kompetencat ose ka vepruar jashtë kompetencave të tij. Ligji për arsimin e lartë ka përcaktuar rregulla që e garantojnë në detyrë një pedagog nga veprimet dhe aktet e njëanshme. Ligji për arsimin e lartë e thotë se kur pedagogu ka shkelur rëndë ligjin dhe në mënyrë të përsëritur, përgjegjësi i departamentit ku ai ushtron funksionin, i propozon senatit akademik ndërprerjen e menjëhershme të marrëdhënieve të punës. Më pas, një komision duhet të bëjë hetimin dhe më pas mund të propozojë te rektori largimin nga puna. Kjo procedurë nuk është ndjekur”. (A2 Televizion)