
Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj tha në Komisionin e Sigurisë se policia shqiptare është e plakur në raport me popullsinë.
Duke diskutuar mbi projektligjin për trajtimin financiar të efektivëve, Lleshaj tha se të gjithë ata që mbushin moshën 55 vjeç dhe kanë 30 vite shërbim, mund të bëjnë kërkesë për t’u larguar nga radhët e uniformave duke përfituar 50 përqind të pagës neto.
Në këtë mënyrë, sipas tij i jepet një shërbim dinjitoz uniformave nga njëra anë ndërsa u mundëson të rinjve të bëhen pjesë e policisë.
Ministri tha se një pjesë e mirë e efektivëve nëse iu nënshtrohen testeve fizike nuk i përmbushin ato, por nëpërmjet këtij projekligji iu jep mundësi atyre të mbeten në radhët e policisë.
Sipas ministrisë së Brendshme aktualisht, mosha mesatare e punonjësve të policisë është rreth 46 vjeç. Me miratimin e projektligjit për një periudhë prej 3 vitesh mosha mesatare e punonjësve të policisë do të ulet në 44 vjeç. (A2 Televizion)