
Në përfundim të përballjes së saj me gjykatën, 72-vjeçarja me iniciale M.K. është shpallur fajtore për akuzën e “shkaktimit të vetëvrasjes”. E moshuara është dënuar me 3 vjet burg, por nuk do të shkojë në qeli. Përveç uljes nga gjykimi i shkurtuar, gjykata konvertoi dënimin me burg në Shërbim Prove për dy vite.
Ngjarja për të cilën u fajësua 72-vjeçarja, ka ndodhur qershorin e vitit të kaluar në banesën që ajo ndante me djalin dhe nusen. E reja ka tentuar t’i japë fund jetës, por është ndaluar në kohë nga ndërhyrja e një patrulle policie, ndërsa akti u filmua nga një kamera sigurie.
Në kallëzimin e bërë më pas nusja ka pretenduar se për gati një vit ishte fyer e ofenduar nga vjehrra me fjalë degraduese e poshtëruese dhe së në një rast ishte kërcënuar prej saj me armë zjarri për t’u larguar nga shtëpia. Ditën e ngjarjes, e dëmtuara ka pohuar se vjehrra i ka thënë “do të ta marr jetën pak nga pak ndaj me mirë vrit veten”.
Vetë 72-vjeçarja ka pranuar marrëdhënien e tensionuar me nusen, por ka pretenduar se ishte e reja që kërkonte largimin e saj nga banesa. “Nga provat e administruara krijohet bindja se tentativa e vetëvrasjes së viktimës është shkaktuar nga trajtimi i keq në mënyrë sistematike (dhuna psikologjike, fyerjet, poshtërimi etj.) të kryera nga e pandehura M.K., me të cilën viktima jeton në një banesë”. Si rrethana lehtësuese për të moshuarën, Gjykata mori parasysh pendesën e thellë të saj, moshën dhe normalizimin e marrëdhënieve me viktimën. (A2 Televizion)