Protestuan për Klodian Rashën, gjykata dënon tre të rinjtë

Nga A2 CNN
21 Mars 2022, 17:32 | Kronikë
Protestuan për Klodian Rashën, gjykata dënon tre të

Gjykata e Tiranës ka shpallur fajtorë tre të rinj, pjesëmarrës në protestat antiqeveritare të dhjetorit 2020 para Ministrisë së Brendshme.

Protesta disaditore u ndez si zemërim popullor pas vrasjes së 25-vjeçarit Klodian Rasha nga një oficer policie dhe u shoqëruan me përplasje të forta mes protestuesve e policisë. Të pandehurit Alban J., Olsian J. dhe Kristian K., të moshave 30, 28 dhe 20 vjeç, u fajësuan për “kundërshtim të punonjësve të Policisë së Shtetit” dhe “organizim e pjesëmarrje në manifestime të paligjshme”, duke dhënë për ta dënime nga 3 në 6 muaj burg.

Asnjë prej tyre nuk do të shkojë në qeli, pasi në përfundim gjykata e ka konvertuar dënimin në shërbim prove. Akuzat ndaj të rinjve në gjykim janë mbështetur kryesisht në raportet e shërbimit të punonjësve të policisë, kur pretendohej se gjatë protestës ata kanë qëlluar me gurë në drejtim të policisë, si edhe kanë dëmtuar sinjalistikë rrugore, ndriçues publike apo tabela.

Provë në gjykim janë paraqitur edhe vëzhgime të videove të shpërndara në rrjetet sociale. Nga ana e tyre, të tre të pandehurit kanë mohuar akuzat. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos