Shuhet Jerry Lee Lewis, ylli që luante “muzikën e djallit”. Jeta i ndryshoi kur u martua me kushërirën 13-vjeçare

Nga A2 CNN
29 Tetor 2022, 14:27 | Showbiz

Këngëtari i madh amerikan, Jerry Lee Lewis, ndërroi jetë të premten në moshën 87-vjeçare, pas një karriere të gjatë të shënuar nga suksese të jashtëzakonshme, por edhe një jete të mbushur me skandale.

Lewis u shua në shtëpinë e tij në Desoto, Misisipi, pranë vendlindje së tij, Memfis. Sipas përfaqësuesit të tij, Zach Farnum, vdiq për shkaqe natyrale, pranë gruas së tij të shtatë, Judith. Sipas Farnum, në ditët e fundit Lewis i kishte thënë se “nuk kishte frikë nga vdekja”.

Bashkë me Chuck Berry, Elvis Presely dhe të tjerë, Lewis ishte një prej ikonave të “rock ‘n’ roll”-it në vitet 1950 dhe gjithashtu një mjeshtër i spektaklit, i cili ngrinte gjithmonë peshë turmën në çdo shfaqje apo koncert. “Kam lindur në skenë, mezi prisja të ngjitesha. E ëndërroja gjithmonë. Dhe gjatë gjithë jetës në skenë kam qëndruar”, thoshte Lewis në librin biografik të botuar në vitin 2014.

Një yll i vërtetë në skenë, jeta private e këngëtarit ka qenë gjithmonë e trazuar. Në vitin 1958 ai ishte në kulmin e famës kur publiki mësoi se ishte martuar me Myra Gale Brown, kushërirën e tij të dytë. Për më tepër në atë kohë ai ishte 22 vjeç, ndërsa ajo vetëm 13. Dhe sikur të mos mjaftonte kjo, Lewis ishte ende i martuar me gruan dytë, kur kishte lidhur kurorë me kushërirën e tij. Lajmi për këtë martesë u zbulua në Londër, ku Lewis kishte shkuar për një koncert. Karriera e tij në “rock 'n' roll” mori një goditje të madhe, por vijoi të kishte sukses në zhanrin “country”.

https://youtu.be/F569_t2jCio

I lindur në vitin 1935 në Ferriday, Louisiana, Lewis nisi të luante në piano në moshën 9-vjeçare. Në vitin 1956, një bashkëpunim mes tij, Elvis Presleyt, Carl Perkins dhe Johnny Cash, mbeti në histori si një nga momentet më të paharrueshme të historisë së muzikës rok.

Kënga e tij më e famshme është pa dsyhim “Great Balls of Fire”. Tekstet dhe muzika e tij konsideroheshin shpesh tabu për kohën dhe disa stacione radiofonike i bojkotonin këngët e tij, pasi disa dëgjues konservatorë e dënuan si “muzika e djallit”. Në vitin 1989, një film për jetën e tij, me protagonist Dennis Quaid, riktheu në vëmendje jetën dhe karrierën e tij. Madje vetë Lewis këndoi kolonën muzikore të filmit.

Por jeta personale mbeti gjithmonë “thembra e Akilit” për këngëtarin e madh. I martuar gjithsej shtatë herë, Lewis shpalli falimentin në vitin 1988 dhe deklaroi se i detyrohej tatimeve më shumë se 2 milionë dollarë. Ai gjithashtu pati probleme me alkoolin dhe drogën. Incidenti më famëkeq i tij ndodhi në vitin 1976, kur u arrestua në pronën e Elvis Presleyt “Graceland”, i dehur dhe me një pistoletë në makinë, teksa po shkonte të vizitonte “Mbretin”.

Në vitin 1986, ai iu bashkua legjendave si Berry, Presley, James Brown, Ray Charles, Sam Cooke, Fats Domino, Buddy Holly, Little Richard dhe Everly Brothers, në grupin e artistëve të futur në Hollin e Famws të muzikës “Rock and Roll”. Në tetor të këtij viti, pak ditë para se të ndërronte jetë, Lewis u fut në Hollin e Famës së Muzikës “Country”, por nuk mori dot pjesë ne ceremoni për shkak se ishte i sëmurë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos