
Mëngjesin e së premtes Emiliano Shullazi doli nga qelitë e regjimit të ashpër 41 bis të burgut 313 në Tiranë, por vetëm përkohësisht. Në masa të rrepta sigurie, i dënuari me 14 vite burg për akuzën e “gjobëvënies” dhe i dyshuar i SPAK si pjesëmarrës në vrasjen e Klodian Saliut e Vajdin Lamajt në vitin 2005, është shoqëruar drejt Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”.
Arsyeja ishin disa kontrolle mjekësore dhe një ndërhyrje kirurgjikale e planifikuar më herët nga mjekët. Përveç Policisë së Burgjeve, lëvizja e Shullazit është mbështetur edhe nga efektivë të Policisë së Shtetit. Por teksa ishte në duart e mjekëve, Gjykata Kushtetuese zbardhi një vendim ku i jepte të drejtë Emiliano Shullazit në përballjen e tij me gjykatën kundër izolimit në regjimin e ashpër 41 bis.
Gjykata Kushtetuese vërejti se Emiliano Shullazit i ishte cenuar e drejta për një proces të rregullt ligjor teksa kundërshtonte regjimin e egër, si pasojë e mosrespektimit të barazisë të armëve në gjykim. Ndonëse Shullazi kishte kërkuar shfuqizim të vendimeve të gjykatave që ligjëruan vendimin e Ministrit të Drejtësisë për izolimin e tij, Kushtetuesja nuk i shfuqizoi ato, por vetëm konstatoi shkeljen e të drejtës së tij për një proces të rregullt.
Në thelbin e kërkesës së Shullazit, që u vlerësua e drejtë edhe nga Kushtetuesja, ishte fakti se në të tre shkallët e gjykimit, “kyçja” e tij në 41 bis u bazua në shkresa më informacion të klasifikuar “sekret” dhe “i kufizuar”, me të cilat nuk u njohën në proces, as avokatët mbrojtës dhe as gjykata. I vetmi argument i dhënë në gjykim ishin dyshimet se Shullazi kishte kanosur nga burgu 313 gjyqtarët e Apelit për t’i ndikuar, kishte takuar të paraburgosur të tjerë dhe kishte transmetuar urdhra për krime jashtë burgut. Burime pranë avokatëve mbrojtës së Shullazit i thanë A2CNN se pas këtij vendimi të Kushtetueses, një nga lëvizjet e radhës mund të jetë kërkesa për rishikim të vendimeve. Aktualisht Emiliano Shullazi është duke qëndruar për të dytin vit radhazi në regjimin e veçantë në burgun 313.
(A2 Televizion)