
Puna në shtet po vijon të joshë shqiptarët. Vitin e shkuar, për 1 mijë e 70 pozicione të shpallura në administratën publike pati mbi 19 mijë aplikonte, gati 18 kërkesa për një vend të lirë pune. Gjatë 2021-shit ky tregues ishte në nivelin 15 aplikime për çdo vend të lirë.
Po pse kjo kërkesë në rritje për një punë në shtet?
“Ne e dëgjojmë shpesh herë që jam lodhur ndaj do punoj në shtet. Shumë kujt puna në shtet i jep mundësinë që të bëjë edhe një tjetër punë. Fatkeqësisht, këto janë ende faktorë”, shprehet Emin Shini, ekspert i tregut të punës.
Ndërkohë kriza për punonjës të kualifikuar, nga e cila po vuan sipërmarrja private, po reflektohet edhe te puna në administratë.
Nga mbi 1 mijë pozicionet e lira të shpallura, vetëm për 830 prej tyre u gjend një punonjës i posaçëm.
Në analizën vjetore, Departamenti i Administratës Publike vlerëson se mosplotësimi i të gjitha vendeve të lira lidhet me mungesën e të diplomuarve në fushën e bujqësisë e blegtorisë apo shkencave mjedisore, kryesisht në qytete si Ballshi, Shkodra, Puka, Progradeci e Mallakstra.
“Po ndodh ajo që pritej. Privati dhe publiku shkojnë paralel me njëri-tjetrin. Madje mund të them se jam i surprizuar në plotësimin gati 79 për qind të vendeve të shpallura.”
Sipas raportit të Departamentit të Administratës Publike, viti i shkuar shënoi ndër nivelet më të larta të punonjësve të larguar nga puna me 441 raste. (A2 Televizion)